Shpëtim Idrizi me PDIU-në, do të garojnë të vetëm në zgjedhje lokale të 14 Majit, dhe duket se marrëdhënia e tij me deputetët e “Foltores” është thyer. Edmond Spaho e ka akuzuar se ka luhatje në bindje politike. Përplasja e Foltores me Idrizin vjen edhe pas thirrjeve të tij për të mos votuar kandidatin e Berishës për Bashkinë Himarë, Fredi Belerin.
“Hallall Shpëto! Komuniteti çam me politikën tënde deri tani ka marrë gishtin e mesit. Vazhdo perdridhu ku të mundesh, majtas në zgjedhjet lokale dhe djathtas, në se të leverdis, në zgjedhjet e përgjitheshme. Me piruetat e tua komuniteti çam do fitojë të drejtat e tij kur gjeli të bëjë vezë. Të gjithë ata që të mbështesin ty, edhe të djathtët, e dinë që gjeli nuk bën vezë”, shkruan Spaho në rrjetet sociale.
Shpëtim Idrizi u kërkoi shqiptarëve të mos votojnë Fred Belerin për deklaratat e tij me flamurin e “Vorio Epirit”. Beleri është cilësuar si jo i denjë për t’u votuar edhe nga PD dhe PS.