Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krimit të Organizuar ka shpallur goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafikim masiv të lëndëve narkotike në disa kontinente.
Sipas njoftimit zyrtar, grupi operonte njëkohësisht në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Nga hetimet rezulton se anëtarët e tij dyshohet të kenë dërguar gjatë periudhës në fjalë të paktën 50 ton kokainë drejt tregjeve europiane.
Gjatë procesit hetimor janë dokumentuar pesë episode konkrete trafikimi:
Episodi 1 – 11 Maj 2020 – Trafikimi i një sasie prej 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar në portin e Ëaasland (Antverp), Belgjikë, e gjetur në një kontejner me pjesë këmbimi makinash, i shkarkuar nga një anije e ardhur nga Kina.
Episodi 2 – 6 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 2010 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Guayaquil, Ekuador. Lënda narkotike kishte si destinacion përfundimtar të saj Holandën dhe kishte të stampuar tre logo të ndryshme (Jaguar, Shqiponjë dhe BB).
Episodi 3 – 16 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie prej 1100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Roterdam të Holandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 4 – 16 Dhjetor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 4.1 ton lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdam, Holandë. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 5 – 03 Shkurt 2021 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 1 ton e 50 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Kolumbi me destinacion final Francën.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se, përveç episodeve të dokumentuara, grupi kriminal dyshohet të ketë transportuar dhjetëra tonelata të tjera narkotikësh nga Amerika Latine drejt Europës, duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme nga kjo veprimtari e paligjshme.
