Në ditët e fundit ka bërë bujë një deklaratë skandaloze e ish kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy sipas të cilit te Franca nuk ka futbollistë francezë. Një deklaratë kjo me tone raciste që ka shkaktuar një reagim të fortë sa detyruan kryeministrin aktual të vendit iberik Pedro Sanchez që të kërkojë ndjesë.
‘Spanja u përket atyre që e duan dhe punojnë për të. Jo atyre që e çnderojnë me deklarata ksenofobe. Francë, shihemi në gjysmëfinale. Le të fitojë skuadra më e mirë dhe të humbasë racizmi-ka qenë deklarata e Sanchez e bërë përmes një postimi në rrjetet sociale.
Tani kundërpërgjigjja ndaj Rajoy ka ardhur edhe nga vetë protagonistët në fushën e lojës, futbollistët. Është ky rasti i Borja Iglesias i cili u prononcua në një intervistë për DAZN Futbol Espana.
‘Multikulturalizmi francez është një burim. Jemi të gjithë të ndryshëm dhe është pikërisht kjo që na bën të pasur-tha Borja Iglesias-mund të kuptoj se nuk e ka thënë me tendencë negative, por duhet të jemi më të kujdesshëm për këto lloj komentesh’.
Në të njëjtën linjë me Iglesias ishte edhe futbollisti tjetër i Spanjës, Pau Cubarsi që foli për Rac1. ‘Duhet treguar tolerancë kundrejt të gjithëve sepse të gjithë meritojmë respekt-tha Cubarsi-nëse luajnë me kombëtaren franceze, atëherë janë francezë pavarësisht ngjyrës së lëkurës së tyre’.
