Avokati i njohur Spartak Ngjela, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend. Në një intervistë për gazetën “SOT”, lidhur me presionin e bërë ndaj SPAK për të arrestuar ish-kryeministrin Sali Berisha, ai u shpreh se është e garantuar se provat për të janë.
Ai tha se nëse ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të jetë më deputet në Parlament shqiptar ai beson se do të fillojë procesi penal si gjyq. I pyetur lidhur me vizitën e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në Uashington pak ditë më parë nëse do të sjellë arrestime në nivele të larta në politikën shqiptare, duke parë dhe zhvillimet e fundit ku funksionarë të lartë janë thirrur në SPAK, ai tha se po ky është qëllimi i vizitave të tilla.
“Profesionalisht mund të them se Berisha është akoma deputet, anëtar i Parlamentit dhe mesa kam parë në Parlament kanë hyrë dy projektligje që mendohet të miratohen në shtator, ku njëri është që po të jesh “non grata”, nuk mund të jesh deputet dhe me anë kësaj kërkohet që të hiqet Saliu si deputet që një person non grata nuk mund që të jetë deputet.
Ka disa legjislacione të vendeve perëndimore e kanë këtë në Kushtetutën e tyre. Pra këtu kuptohet se ka një vazhdimësi, pengesa ka qenë se është deputet, krijoj edhe një parti por që nuk ishte ligjore, është në opozitë por nuk është kryetar i opozitës sepse Partinë Demokratike e ka Alibeaj. Nëse ai nuk do të ishte deputet nuk do ti kishte këto forca dhe nëse hiqet si deputet në funksion të ligjit se ligji duhet të miratohet, por ligji është në 2 të 3-tat, pasi të mos jetë më deputet duhet që të shohim se si do operohet me procesin penal. Nëse SPAK e fillon çështjen penale, arrestimin se bën dot se ai është deputet, i duhen 2 të 3-tat në Parlament, ndërsa në momentin që ai nuk do jetë deputet besoj se do filloj procesi penal, si gjyq, pastaj se si do dal gjyqi kjo nuk dihet”, thotë Ngjela.
Ngjela tha se në shtator do kemi ngjarje të reja në funksion të antikorrupsionit. Teksa foli për nismën ligjore të ndërmarr nga Partia Socialiste e cila ka paralajmëruar së fundmi një nismë ligjore që në shtator të këtij viti do të përjashtojë nga Kuvendi të shpallurit “Non Grata”, por edhe të lidhurit me ish-Sigurimin e Shtetit, ai tha se atëherë kur duhej bërë kjo gjë nuk u bë, ndërsa vijoi më tej duke thënë se duhet parë ligji se mund të jetë edhe arbitrar.