Kryetari i fshatit Macukull në Bashkinë e Matit, Ismal Doçi, shprehet se ujku po bën kërdinë në fshat. Sipas tij dëmet janë të konsiderueshme dhe se kërkohet ndërhyrje pasi ato kohët e fundit janë shtuar shumë.
Nuk kishte ndodhur kurrë që ujqërit të lëviznin lirshëm në fshatin më të madh të Bashkisë Mat, Macukull. Blektorët rrëzë malit të Dejës janë alarmuar pasi këto grabiqarë kanë shkaktuar dëme serioze, sidomos në tufat me dele e dhi.
Kryetari i fshatit tha se fermerët janë ankuar se brenda një jave ujqërit kanë dëmtuar të paktën 50 bagëti të imta dhe disa krerë lopë.
“Jemi shumë të rrezikuar. Ujqërit janë shtuar shumë në të gjithë zonën, veçanërisht në fshatin tonë. Ato kanë sulmuar tufat e blektorëve, sidomos natën. Asnjë blektor nuk i ka dërguar delet apo dhitë në mal, pasi atje janë akoma më të rrezikuara. Ndalja e gjuetisë i ka penguar banorët e fshatit t’i vrasin këto grabiqarë të rrezikshëm. Na thonë është e ndaluar t’i eleminosh. Shteti duhet t’na lejojë të marrim masa mbrojtëse, ndryshe dëmi ekonomik do të jetë shumë i madh. Në lagjet Vatdodaj, Cukaj, Pirraçi, Porja, etj, ujqërit kanë ngrënë shumë bagëti. Blektorët nuk kanë burim tjetër jetese në fshatin tonë”, tha Ismail Doçi.
Kryeplaku jep alarmin se ujqërit përbëjnë rrezik edhe për jetën e njërëzve. Ai sjell në vëmendje precedentin e ndodhur në fshatin Lami i Madh, në vitet ’90-të, kur ujqërit i morën jetën një fëmije. Sipas tij duhen autorizuar gjahtarë apo specialistë të veterinarisë për t’i eleminuar ujqërit në fshatin Macukull.
Veç largimit të banorëve nga fshati malor agresioni i ujqërve konsiderohet një shqetësim i madh dhe që kërkon ndihmën e strukturave shtetërore. Sipas banorëve të këtushëm, kërkohet ndihma e shtetit që banorët të lejohen për t’i vrarë ujqërit.