Udhëtimi për në Kalanë e Skënderbeut, në Varosh të Matit, është paska i vështirë. Pasi lë prapa qytetin e Burrelit, fshatrat Zenisht, Burgajet, Lis e Vig rruga e dëmtuar të çon në Varosh, siç e konsiderojnë banorët e zonës, në Kalanë e Stellushit, e cila njihet gjithashtu si Kalaja e Varoshit ose Kalaja e Skënderbeut, një kala që ndodhet në skajin verilindor të luginës së Matit.
Banorë të fshatit Vig flasin plot pasion për kalanë, për historinë e saj, për qytetin e asaj kohe. Gani Hysa, herë pas here ngjitet në majë të kalasë së hershme dhe lartëson atje një flamur të madh kombëtar.
“Kjo kala, thotë ai, ka histori të madhe. Nuk është aspak e drejtë të lihet në harresë. Pranë saj kalojnë në çdo stinë të vitit turistë të huaj por nuk e dinë se aty ndodhet një nga fortesat e heroit tonë, Skënderbeu. Duhet ndërhyrë në rrugën Vig-Stellush. Po ashtu kjo kala historike duhet promovuar më shumë. Historiani Qemal Cenaj është përpjekur shumë ta publikojë kalanë, por kjo nuk mjafton. Ai ka vendosur në hyrje të kalasë një pllakadë të dukshme ku flitet për trimëritë e Gjergj Kastriotit. ”, thotë Hysa
Kjo kala është hulumtuar shumë nga historianë, arkeologë, ushtarakë të ndryshëm. Duke iu referuar arkivave kuptojmë se ajo mbart një pjesë të historisë së lavdishme të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu.
Stelushi shtrihej në lindje të Krahinës së Matit, në kufij më Krahinën e Dibrës, në këmbë të Malit të Dejës. Kanë kaluar qindra vite dhe matjanë e dibranë e konsiderojnë Kalanë e Stellushit “pronë” të tyre. Kjo me siguri lidhet me madhëtinë e Skënderbeut. Sipas historianit Mëhill Elezi mëqenëse kalaja ka qenë afër qendrave të banuara të Matit, tradita e ka vlerësuar me të drejtën e vet që ta “pashaportizojë” si qytezë të Matit, madje duke e emërtuar dhe si Qyteza e parë e Matit, emërtim që përligj lashtësinë e saj, por dhe rolin që ka luajtur në të gjitha etapat historike.
Kalaja është ndërtuar në një kreshtë mali, në një lartësi prej 1225 m, në anën lindore të Malit të Dejës. Poshtë e në këmbë të kalasë ishte ndërtuar qyteza e saj, por emrin e lashtë të qytezës nuk e dimë. Studiuesi i kalasë, prof. Skënder Anamali, ka shprehur mendimin se fillimisht qyteza është njohur më emrin Stefanajkon, emër të cilin më vonë e mori Krahina e Matit.
Duke njohur pozicionin gjeografik të Pellgut të Matit, rolin e tij si nyje e rrugëve të karvaneve, si qendër tulash të lashta, për rolin dhe emrin e parë të Kalasë së Stelushit duhen marrë në konsideratë se: “Në rrethinat e kësaj qyteze kam ndeshë toponimin Dea e Vogël, Lusë, Bizë etj, në arkivat e Stambollit të shek. XV-të gjejmë emrin më të hershëm të kalasë, të njohur deri tani Istulush. Janë dhe këto të dhëna, të cilat më kanë bërë të mendoj së emri më i lashtë i saj, duhet kërkuar, në keto dy emra qe i ka mbajtur në kohë të ndryshme. Populli i Matit dhe i Dibrës e sollën mes nesh këtë qytezë-kala më emrin “Qyteza e Parë e Matit”. (Qyteza e Mbasdejës, Qyteza e Vigut, Kalaja e Qafmurrës, Qyteza në Vanas). Qyteza erdhi gjithashtu me emrin Varosh, emër i cili ka ardhur nga pushtime sllave. Përjashto emrin Varosh, emrat e tjerë që citova dhe që do të shohim në vijim, i shkojnë për shtat, mrekullisht këtij vendi strategjik dhe të bëgatë edhe për këto arsye: Qafa e Murrës është rrugë karvanesh, nga më të lashtat, që në zanafillë të shoqërisë njerëzore”.
Aksi i parë nisej nga Durrësi, kalonte në Zgërdhesh e Krujë, në Qafën e Shtamës. Këtu, aksi ndahej në dy degë. Dega e parë, dega kryesore, shkonte në Komsi e luginën e Matit, dilte në Suç, Lusë-Kamtrosë, Lis e Stelush, pastaj vijonte në Shtegun e Pelave, në Përroin e Shalcës, vendi ku kapeshin kuajt e shaloheshin për rrugë, për të kaluar në Drin. Këtu rruga ndahej në dy degë. Njëra shkonte drejt Dibrës, ndërsa tjetra drejt Prizrenit. Një degë tjetër e aksit Durrës – Stelush shkonte nga Qafa e Shtamës në Kalanë e Ketës, në Kalanë e qytezën e Xibrit ku bashkohej me aksin tjetër që sot njhet me emrin Rruga e Arbërit, e cila shkonte drejt Dibrës.
Kalaja dhe qyteza u ndërtua në këtë rrafshnaltë, në pjesën më lindore të Matit, në krahun jug-lindor të Malit të Dejës, sipër vendit të quajtur Shkalla e Deshëve, pak e mënjanuar nga qafa, më qëllim që të ruante fshehtësinë e të mos binte në sy të kundërshtarit.
Kalaja u ndërtua e mbështetur në majë të Malit të Kuratës, që më vonë do të merrte emrin Kepi i Skënderbeut. Qyteza e ngritur në tarracat poshtë kalasë, trembëdhjetë shekuj më vonë do të fillojë të thirrej me emrin Varosh, emër i cili duhet që t’i ketë mbetur pas kohës së dyndjeve sllave, sepse kështu emërtoheshin qytezat e kalave në gjuhën sllave.
Si qytezë e parë e Matit, në etapa të ndryshme, zona ka qenë e mbipopulluar herët. Këtë e theksojnë edhe emërtimet, toponimet, legjendat, tregimet popullore, rapsoditë dhe fjalët e urta për kryeheroin e shqiptarëve dhe luftën për lirinë e kombit shqiptar, Gjergj Kastriotin.
Për të kuptuar e vlerësuar madhështinë e këtij thesari të toponomistikës stelushjane, le të rikujtojmë shprehjen që ruhet edhe sot në mëmorjen e popullit të Matit, Dibrës, Mirditës e Kurbinit: Stelushi, qyteza e parë në Mat, për të cilët flisnin me të njëjtin pasion siç flisnin, që në krye të herës, kur zinin të kuvendonin për historinë e mëmëdheut, e zinin fillin me Lekën e Madh, vijonin më Pirron e Epirit, Bardhylin, Teutën e Gentin, më Konstandinin e Madh, me Gjergj Kastriotin e për të ardhur deri në ngjarjet e mëvonshme.
Në studimin që i ka bërë kalasë prof. Skënder Anamali, ka vërejtur se : “muri ishte shembur më kohë nga themeli. Gjatësia e tij ka qenë 120 m dhe dilte nga faqja shkëmbore e kepit, duke përfunduar në shkëmbin tjetër që ndodhej në anën jugore. Në anën veriore gjendej porta e kalasë, e cila mbrohej nga një kullë e rrumbullakët e ngritur në faqen e brendëshme të murit. Muri i kalasë rrethonte një hapsirë të vogël. Gjatësia e sheshit është 100 m. Në rrëzë të shkëmbit, në një kohë të dytë, ka qenë ndërtuar një mur tjetër. Pjesa më e lartë dhe më e fortë e kalasë ishte maja shkëmbore, që ngrihej nga veriu, për mbrojtjen e të cilës nuk kishte nevojë për mure rrethuese. Në këto kushte kalaja ishte thuajse e pamarrshme nga kundërshtari”.
Qyteza dhe kalaja e Stelushit duke qenë seli e Kastriotëve e qendër e principatës së tyre bëhet një qendër urbane e rëndësishme në Arbëri, me pazare, administratë, me punishte dhe me farka. Në qytezë kishte mjaft ndërtesa ku rrinin bujarët, klerikët, mjeshtrit e tjerë. Aty zhvillohej një jetë intensive ekonomike-politike e tregtare, qytet i cili përligjte pozicionin e tij strategjik, po dhe qenien e e tij si qendër ku kishte selinë e saj Principata e Kastriotëve.
Duke e patur qendrën e Principatës në Stelush, Gjon Kastrioti, i cili njihet edhe si princi i Matit, territori i cili nuk duhet kuptuar me Matin e sotëm, por me disa përjashtime njihet si hapsirë e tokës princërore, ku shtrihet midis lumejve Drin dhe Mat, përfshi dhe një pjesë të Dardanisë. Këtë na e sqaron dhe vetë Gjon Kastrioti, kur në vitin l407 thoshte se: “Peshkopata e Arbërit është 800 vjeçe në pronat e mija”. Këtu bëhet fjalë për Peshkopatat e Lisit të shek. VI-të, dhe pasueses së saj Peshkopatës së Arbërit të shek. X-të.
Në Qytezën dhe Kalanë e Stelushit, fillimisht rreth vitit l430 u vendos një garnizon i ushtrisë turke, garnizon të cilin e gjeti Gjergj Kastrioti kur e rimori Stelushin, në fillim të dhjetorit të vitit l443, vetëm pak ditë pas çlirimit të Krujës.
Me çlirimin e qytezës dhe kalasë së Stelushit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu rimerr selinë e të parëve të tij, duke siguruar qafën e dytë të Matit, nga depërtimet e pritshme të ushtrisë turke, pasi Qafën e Bullit e kishte siguruar më parë, më marrjen e kalave të Sfetigradit dhe Petralbës. Për të përshpejtuar organizimin e mbrojtjes në kalanë e Stelushit, la aty si Komandant të saj, nipin e tij Hamza Kastriotin.
Sipas Marin Barletit, Gjergj Katrioti, pas Kuvendit të Lezhës e përforcoi Stelushin me roje kapidane dhe me ushqime. Kjo është e besueshme se diktohej nga strategjia e taktika që vendosi të përdorë Kastrioti kundër ekspeditave të ardhshme turke, sipas të cilës, luftën më armikun, do ta organizonte në kufijtë e Shtetit të tij dhe në kështjella duke e asgjesuar atë pjesë-pjesë.
F.S. Noli, në veprën e tij “Historia a Skenderbeut”, shkruan se: “Turqit u përpoqën ta merrnin kalanë e Stelushit me tradhëti. Kjo ka gjasa të ketë ndodhur, para ose në prag të vitit 1457…Duket para betejës së Albulenës, 200 ushtarë turq të veshur si të krishterë e fshatarë, tentuan të hynin në keshtjellë, por u diktuan dhe u asgjësuan”.
Është e njohur gjithashtu fakti se ushtria turke me rreth 70.000 forca nën komandën e Hamza Kastriotit, që tashmë ishte bashkuar me armikun, mori rrugën për në Krujë duke hyrë nga Mati. Është ekspedita që u asgjesua në Albulenë. Hamzaj e njihte mirë mbrojtjen e ish-kalasë së tij, duke mbajtur larg Varoshit kollonën kryesore të ushtrisë.
Sipas legjendave të banorëve vendas: katër vjet ka luftuar me turqit Skënderbeu në Stelush. Legjenda të cilat më pas fillojnë ta paraqesin Skënderbeun më shumë si një njeri mitik, sesa si një udhëheqës i shkelqyer i luftës popullore siç ishte në të vertetë ky titan i kohës.
Kalaja e Stelushit, ashtu si edhe të gjitha kalave arbërore të Matit, u bë për shtetin e Kastriotit një mburojë e vërtetë, e lavdia e saj do të zinte vend në kujtesën popullore.
Bashkia Mat kohët e fundit po përpiqet t’i promovojë vendet historike të trevës. Janë vendosur tabela orientuese në kryqëzime të rëndësishme, janë botuar broshura dhe fletë palosje si dhe janë publikuar video të ndryshme për vendet historike të Matit. Rëndësi po i kushtohet nga vendorët edhe Kalasë së Skënderbeut në Stellush.