Brenda pak ditëve pritet të fillojë puna në 15 objekte të reja në Bashkinë e Matit. Kjo nuk lidhet me fushatën e zgjedhjeve lokale, pasi prej afro katër vitesh kjo bashki është kthyer në kantier ndërtimi.
Kryebashkiaku Agron Malaj dhe stafi i tij kanë patur si kryefjalë hartimin e projekteve dhe lobimin për gjetjen e fondeve dhe zbatimin e tyre. Ndryshimet janë të dukshme. Pas investimeve të mëdha në rrjetin elektrik, në të gjithë territorin e bashkisë, po punohet me intensitet për ujin e pijshëm. Ujësjellësi i 17 fshatrave të Derjanit, Macukullit, Rukajve dhe rrjeti i brendshëm i ujësjellësit të Burrelit janë dy nga investimet më të rëndësishme për qytetarët e Matit. Për banorët e zonave rurale është hera e parë që kryhet një investim i tillë, kurse në qytetin e Burrelit synohet të ketë ujë pa ndërprerje.
Në takimet që kryetari i Bashkisë Agron Malaj ka patur ditët e fundit me banorët e kësaj njësie është shprehur se së shpejti nis puna në 15 objekte të tjera.
“Kërkoj mbështetjen tuaj sepse kemi akoma për të bërë, është shprehur Malaj. Kemi patur mbështetjen e Qeverisë Rama në realizimin e investimeve. Ne do të nisim punën brenda pak ditëve në Sheshin “Ahmet Zogu” për ta kthyer atë në një mjedis të bukur pushimi dhe argëtimit për të gjitha moshat. Unazën e vogël të qytetit do të disiplinojë lëvizjen e mjeteve brenda qytetit. Në tri qendrat administrative Derjan, Rukaj, Baz do të zbatohen projekte të Rilindjes Urbane, duke u dhënë gjallëri atyre zonave. Do të asfaltohen rruga e Bushkashit, e Batrës së Vogël, e Lagjes së Re-Burrel, ajo prapa Muzeut Historik Mat dhe po punohet fort për të nisur punimet në segmentin Burgajet-Derjan-Urxallë-Dukagjin-Macukull, një sfidë kjo e kahershme. Do të afsaltohet segmenti rrugor Lis-Depo e Ujit. Për t’u krijuar kushte më të mira tregëtarëve do të nisin punimet në Tregun Industrial të qytetit. Rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës do të jetë një investim me rëndësi për kulturën, artin, sidomos për të rinjtë. 58 familje që banojnë n ëish hotelin e Uzinës së Ferrokromit do të kenë banesa komode pas investimit që do të kryhet këtu. Për të siguruar ujë të vazhdueshëm dhe cilësi të lartë për banorët e Burrelit do të ndërtohet linja e re e ujësjellësit Vinjoll-Burrel. Do të investohet për dispinimin e ujërave të zeza në qytetin e Burrelit. Vijon investimi në varrezat e Dëshmorëve të Matit si dhe në 60 puse uji. Së shpejti nis projekti “pilot” për rritjen e efiçncës së energjisë për tre pallatet e para, për të vijuar më pastaj në 90 pallate të tjera ”, sqaroi kryetari i Bashkisë Agron Malaj.
Të tjera investime pritet të zbatohen në Bashkinë e Matit.
Investimet e radhës në Mat:
- Sheshi “Ahmet Zogu”
- Unaza e vogël e qytetit
- Rilindja Urbane në Derjan
- Rilindja Urbane në Rukaj
- Rilindja Urbane në Baz
- Asfaltimi i rrugës së Bushkashit
- Asfaltimi i rrugës Batër e Vogël
- Asfaltimi i rrugës pas Muzeut Burrel
- Asfaltimi i rrugës së Lagjes së Re, Burrel
- Asfaltimi i rrugës Lis-Depo e Ujit
- Rehabilitimi i Tregut Industrial
- Rikonstruksioni i Pallatit të UFK-së
- Rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës
- Linja e re e Ujësjellësit Vinjoll-Burrel
- Rikonstruksioni i varrezave të Dëshmorëve