“Djali që shihni në foto është shqiptar, quhet Mirban Bushati, i lindur në Burrel dhe për 2 dekada punon në Spitalin Universitar San Martino të Genovës. Këto ditë, në frontin e egër të luftës ndaj Coronavirus-it, si shumë kolegëtë tij të sistemit shëndetesore italian, që është edhe më i godituri prej pandemisë globale, ai pushon vetëm 4 orë përgjatë 24 orëve. Këta janë heronjtë e ditëve të sotme! Respekt për djalin e Matit.”, shkruante një ditë më parë Shoqata e Informierëve të Shqipërisë.
Tirananwes.al kontaktoi sot pasdite me 41 vjeçarin Mirban Bushati. Ai ka lindur në fshatin Midhë, të njësisë administrative Komsi, në Bashkinë e Matit. Infermieri profesionist thotë se arsimin 8 vjeçar e ka mbaruar në shkollën “Ali Metra” ndërsa arsimin e mesëm e ka mbyllur me nota të shkëlqyera, në vitin 1997, në shkollën “28 nëntori” Burrel. Atë vit nuk ka patur konkurime për shkollën e lartë dhe pas një viti ka konkuruar për shkollën e lartë dhe ka fituar degën e Infermierisë. Jo pa mburrje, Mirbani thotë se babai i tij, Ahmet Bushati, ka shkolluar të gjithë fëmijët.
“Fitova të drejtën e studimit në degën e Infermierisë. Dola me rezultate të mira dhe vendosa të emigroj në Itali. Paraqita në Ambasadën Italiane dokumentat dhe mu dha e drejta të udhëtoja drejt vendit fqinj dhe të punoj në sistemin e shëndetësisë. Për 6 muaj punova në një klinikë private dhe në vitin 2003 konkurova për infermier profesionist në spitalin e Genovës. Ishin 17 mijë konkurentë dhe unë hyra në 100-ëshen e pare. Kështu fitova të drejtën për të punuar në këtë spital të njohur”, e nis rrëfimin e tij djali matjanë Mirban Bushati.
Bushati tregon se në 18 vjet karrierë të punës së tij ka punuar në reparte të ndryshme të spitalit të Genovës. Aktualisht të gjitha repartet janë mbyllur dhe specialistët më të mirë, mbi 5000, punojnë me përkushtim për të shpëtuar jetë njerëzish. Të gjitha repartet e spitalit që ka shtrirje sa një qytet në vendin tonë, janë mbyllur dhe gjithçka është vënë në shërbim të pacientëve të prekur nga Covid 19.
“Tri javët e fundit ka një fluks jashtëzakonisht të madh të të sëmurëve me Covid 19, shprehet Mirban Bushati. Brenda një dite mund të shtrohen 500 persona. Brenda spitalit lëvizet me autobusa, pasi ka një shtrirje shumë të madhe. Unë aktualisht jam në front të parë. Prej tri javësh jam në valën e parë. Ditë më parë më kontaktuan disa gazetarë italianë dhe fillimisht më pyetën nga isha. Pasi u tregova pohova se ka 18 vite punoj në këtë spital dhe tani jam në frontin e parë të luftës kundër koronavirusit”.
Çfarë nuk bëri mirë Italia në ditët e para të përhapjes së Covid 19?, Bushati thotë se gabimi më i madh ishte ditët kur autoritetet kërkuan izolimin e zonës së Milanos. Gjatë gjithë natës, mijëra njerëz ikën nga Milano. Rrugët nuk ishin bllokuar. Trenat e autobusët punonin. Po ashtu mjetet private lëvizin gjatë gjithë natës, duke dalë nga izolimi, jo vetëm njerëzit por edhe virusi vrastar. Sipas tij italianët e morën lehtë situatën ndaj ajo aktuale është tejet e rëndë, tragjike.
Aktualisht në këtë spital janë shtruar 7500 pacientë dhe kanë ndërruar jetë 190 persona. Por për Mirban Bushatin kulmi nuk ka arritur ende në Genova. Gjendja pritet të përkeqësohet gjatë dy javëve të ardhshme.
Matjani që lufton të shpëtojë jetë njerëzish matanë detit ka një apel të qartë për matjanët dhe gjithë shqiptarë: “Miq matjanë, shqiptarë të dashur. Ju lutem zbatoni vendimet dhe urdhërat e qeverisë. Bindjuni autoriteteve se kjo është rruga e vetme për të shpëtuar jetët e njerëzve. Fëmijët e mi ka një muaj që qëndrojnë në shtëpi. Qëndroni edhe Ju. Minimizoni lëvizjet. Mos bëni gabimet e italianëve. Nuk është e vërtetë se virusi prek dhe u merr jetën vetëm të moshuarve. Unë jam dëshmitar okular se virusi prek çdo moshë”. /tirananews.al/