Pas vititit 1950 nis të marrë jetë qyteza e Kurbneshit në rrethin e Mirditës. Asokohe numëroheshin dy a tri shtëpi private, por shumë shpejt është ngritur qyteza buzë lumit Urakë dhe rrëzë malit të Kunorës.
Ishin banorë të zonës që zbuluan mineralin e çmuar të bakrit dhe kjo do të sillte në vitin 1956 fillimin e ndërtimit të rrugës automobilistike, qytezës, minierës, objekteve social kultuore etj.
Në vitet 1958-1959 specialistë shqiptarë u trajnuan jashtë vendit për të punuar në Fabrikën e Pasurimit. Erdhën pajisjet e para të saj. Fillimshkurti i vitit 1962 do të shënonte ndërtimin e të parës Fabrikë Pasurimi në vendin tonë.
Miniera dhe fabrika do të siguronin miliona për ekonominë shqiptare dhe do të punësonin qindra banorë të Mirditës, Matit, Dibrës, etj. Miniera e bakrit, Fabrika e Pasurimit, Ndërmarrja e Ndërtimit, Mirëmbajtja Rruga, Pyjet, Tregëtia, etj, do të punësonin më shumë se 2000 persona.
Në qytezën e ftohtë të Kurbneshit nisën të prodhoheshin tonelata bakër për rritjen e ekonomisë shqiptare. Nga viti në viti prodhimi rritej. Nga viti 1956 deri në vitin 1990 janë prodhuar nga miniera e Kurbneshit më shumë se 2 milion e 700 mijë ton bakër.
Fabrika e Pasurimit ka përpunuar gjatë këtyre viteve afro 4 milion ton bakër, nga ku është prodhuar më shumë 125 mijë ton koncentrat me mbi 16 % Cu. Ky zhvillim industrial solli ndryshime të dukshme në jetën e banorëve të Kurbneshit dhe zonave përreth tij.
Aktualisht qyteza e minatorëve është shkatërruar totalisht. Kanë mbetur shumë pak familje. Ikjet nuk kanë të sosur. Nuk ka shpresë për të mbijetuar këtu mes maleve. Nuk bëhet fjalë për minierën e bakrit, për Fabrikën e Pasurimit apo ish ndërmarrjet e dikurshme. Sakaq objektet po shemben njëri pas tjetrit.