Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Kryesore

Speciale/ Pronari i “shtëpisë së verdhë”: Drejtësia duhet të zbardhë të vërtetën

10:43 / September 20, 20269 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
007
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Mersim Katuçi: E kemi ndjekur me dhimbje procesin në Hagë. Familja ime kërkon ende drejtësi për akuzat që e lidhën shtëpinë tonë me pretendimet për transplant organesh

Në një shtëpi të vjetër në Gurrë të Matit, një familje vazhdon të jetojë me një histori që prej më shumë se dy dekadash i ka ndryshuar jetën. Emri i saj u bë i njohur larg Matit, pasi banesa e familjes Katuçi u identifikua në debate publike si e ashtuquajtura “shtëpia e verdhë”, e lidhur me pretendime për trafikim dhe transplantim organesh gjatë luftës në Kosovë.

Sot, shumë vite pas kontrollit të banesës dhe pas zhvillimeve të fundit në Hagë, Mersim Katuçi thotë se familja e tij ende pret një përgjigje që, sipas tij, institucionet shqiptare nuk ia kanë dhënë kurrë. Katuçi ka ndjekur me vëmendje procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Për të, çështja nuk është thjesht një proces gjyqësor që zhvillohet mijëra kilometra larg shtëpisë së tij. Është një histori që, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me emrin e familjes dhe me akuzat që prej vitesh kanë rënduar mbi banesën e tyre.

“Kam ndjekur gjyqin dhe gjithçka që ka ndodhur në Hagë. Unë kam bindjen time për drejtuesit e UÇK-së se ata janë të pafajshëm dhe solidarizohem me ta. Por mbi të gjitha dua që drejtësia të zbardhë të vërtetën. Akuzat që e lidhën shtëpinë tonë me transplantin e organeve kanë shkaktuar një plagë që nuk është mbyllur kurrë”, shprehet Katuçi.

Ai e rikthen bisedën te një ditë e ftohtë dimri të vitit 2004. Në banesën e familjes së tij mbërritën një numër i madh hetuesish të huaj, të shoqëruar nga policia shqiptare dhe nga Prokurori i Matit i asaj kohe, Arben Dyla. Kontrolli zgjati me orë të tëra dhe, sipas dëshmive të familjes dhe të vetë Dylës të dhëna ndër vite, hetuesit kontrolluan banesën, oborrin, rrobat, mbeturinat dhe hapësira të tjera përreth.

Familjarët u nxorën jashtë shtëpisë ndërsa kontrolli vijonte. Për Katuçin, ajo ditë mbetet e paharrueshme jo vetëm për atë që ndodhi brenda banesës, por edhe për atë që erdhi më pas.

“Kanë ardhur me shumë makina. Shtëpia jonë u rrethua dhe ne nuk e kuptonim se çfarë po kërkonin. Fëmijët ishin të vegjël. Ishte dimër. Nuk e dinim pse po kontrollohej pikërisht shtëpia jonë”, tregon ai.

Sipas rrëfimit të ish Prokurorit të Matit Arben Dyla, hetuesit kishin ardhur për të verifikuar pretendime lidhur me ekzistencën e mundshme të një qendre ku kryhej transplantimi i organeve. Banesa u kontrollua imtësisht dhe hetuesit morën në shqyrtim edhe objekte të zakonshme familjare dhe mbetje të ndryshme.

U kontrolluan edhe varrezat e fshatit. Por, sipas dëshmisë së Dylës, kërkesat për veprime të tjera, përfshirë zhvarrime apo ndërhyrje në banesë, u kundërshtuan prej tij për mungesë të bazës ligjore dhe të provave të mjaftueshme.

Mersim Katuçi thotë se babai i tij, Abdullai, nuk u pajtua kurrë me faktin që emri i familjes së tij u lidh me këto akuza. Ai shkroi letra në institucione të ndryshme shqiptare dhe iu drejtua edhe autoriteteve të Kosovës, duke kërkuar që të sqarohej se çfarë kishte ndodhur në shtëpinë e tyre dhe mbi çfarë baze ishte kryer kontrolli.

“Babai nuk e la kurrë këtë çështje. Ai trokiti në shumë dyer. I shkroi presidentëve, kryeministrave, prokurorëve dhe institucioneve të tjera. Kërkonte vetëm një gjë: të dinte të vërtetën dhe të pastrohej emri i familjes”, thotë Mersimi.

Abdulla Katuçi u nda nga jeta pa e parë atë përgjigje që kishte kërkuar për vite. Për djalin e tij, kjo është një nga dhimbjet më të mëdha të kësaj historie.

“Babai iku nga kjo jetë me brengën se emri i familjes sonë ishte njollosur. Ai nuk e pranoi kurrë që në shtëpinë tonë të kishte ndodhur ajo që thuhej nëpër media. Ai kërkonte që shteti të hetonte dhe të tregonte të vërtetën.”

Sot, Mersim Katuçi thotë se nuk kërkon privilegje dhe as trajtim të veçantë. Kërkon një përgjigje. Kërkon që institucionet të sqarojnë se çfarë ndodhi realisht në vitin 2004, çfarë provash u kërkuan, çfarë u gjet dhe cili ishte përfundimi i hetimit.

“Ne nuk duam asgjë më shumë se drejtësi. Duam të zbardhet e vërteta. Nëse ka pasur prova, të tregohen. Nëse nuk ka pasur prova, atëherë të thuhet publikisht se familja jonë nuk ka lidhje me ato akuza”, shprehet Katuçi.

Për të, heshtja e institucioneve është po aq e rëndë sa vetë akuzat. Ai pyet pse autoritetet shqiptare nuk kanë dalë më fort në mbrojtje të familjes dhe pse, sipas tij, nuk është bërë një sqarim i plotë institucional për kontrollin e kryer në banesë.

“Pse nuk del shteti dhe nuk thotë çfarë u gjet në shtëpinë tonë?-shton Mersim Katuçi. Pse nuk publikohen dokumentet? Pse nuk na thuhet nëse hetimi provoi diçka apo jo? Ne kemi pritur me vite.”

Por historia e familjes Katuçi nuk mund të shkëputet nga historia më e gjerë e pretendimeve për trafikimin e organeve gjatë luftës së Kosovës. Në vitet pas luftës, këto pretendime u bënë pjesë e debateve të forta politike dhe juridike. Emri i “shtëpisë së verdhë” u përmend në libra, raporte dhe materiale mediatike, ndërsa familja që jetonte aty u përball me vëmendje të pazakontë publike.

Tani, pas vendimit të 16 shtatorit 2026 ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, historia është rikthyer në vëmendjen e Katuçit. Gjykata Speciale i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte dhe i dënoi me dënime të ndryshme. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mbrojtja ka paralajmëruar apel.

Por Mersim Katuçi këmbëngul se çështja e familjes së tij është tjetër. Ai nuk kërkon që gjykata të ndryshojë historinë për familjen Katuçi. Kërkon që historia e shtëpisë së tij të trajtohet mbi bazën e provave dhe dokumenteve.

“Ne nuk duam që askush të dënohet apo të lirohet për shkak të historisë së shtëpisë sonë. Ne duam që të dihet e vërteta për shtëpinë tonë. Kjo është ajo që i kërkoi babai im për vite dhe ajo që unë vazhdoj të kërkoj sot.”

Në Gurrë, shtëpia vazhdon të jetë aty. Muret kanë mbetur, familja ka mbetur dhe kujtimet e asaj dite janë ende të gjalla. Por mbi këtë banesë vazhdon të rëndojë një emër që familja Katuçi nuk e ka zgjedhur vetë. “Shtëpia e verdhë”. Për ata që e kanë jetuar historinë nga brenda, kjo nuk është një metaforë politike dhe as një kapitull libri.

Është shtëpia ku kanë jetuar, ku kanë rritur fëmijët dhe ku, sipas tyre, nuk ka ndodhur ajo që është pretenduar prej vitesh. “Ne duam drejtësi. Duam të na dëgjojnë. Duam që shteti shqiptar dhe institucionet e Kosovës të mos heshtin. Nuk kërkojmë hakmarrje ndaj askujt. Kërkojmë vetëm që një ditë të dalë e vërteta.”

Dhe ndoshta pyetja që ka mbetur pezull prej më shumë se dy dekadash është pikërisht kjo: çfarë gjetën realisht hetuesit në atë shtëpi në vitin 2004 dhe cili ishte përfundimi zyrtar i hetimit? Kjo është përgjigjja që familja Katuçi thotë se ka kërkuar për vite me radhë. Dhe është një përgjigje që, sipas tyre, ende mungon.

22 vite më parë 15 hetues ndërkombëtarë kontrolluan “shtëpinë e verdhë”

Në pranverën e vitit 2004, një grup prej rreth 15 hetuesish ndërkombëtarë mbërriti në Mat për të verifikuar disa akuza që lidhnin zonën e Burrelit me pretendimin se aty ishte kryer transplantimi i organeve të ushtarëve dhe civilëve serbë të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Hetuesit u shoqëruan nga Prokurori i Matit, Arben Dyla, dhe forcat e policisë lokale. Sipas dëshmisë së Dylës, në fillim ai nuk ishte vënë në dijeni për objektin konkret të hetimit. Vetëm pasi grupi u nis drejt zonës së Gurrës, hetuesit i treguan se kërkonin një banesë dhe disa varre që dyshohej se lidheshin me pretendimet për viktima serbe.

Grupi përfundoi në fshatin Rripë, në banesën e familjes Katuçi. Shtëpia u rrethua nga policia dhe pjesëtarëve të familjes iu kërkua të qëndronin jashtë gjatë kontrollit. Hetuesit kontrolluan dhomat, oborrin, rrobat dhe ambientet përreth banesës. Një nga elementët që tërhoqi vëmendjen e hetuesve ishin disa shishe të boshatisura peniciline ose streptomicine të gjetura në grumbullin e mbeturinave. Familjarët shpjeguan se në fshat nuk kishte qendër shëndetësore dhe se injeksionet bëheshin në banesa. Një tjetër objekt i kontrolluar ishte një copë bezeje e bardhë, të cilën hetuesit e morën për verifikim. Familja shpjegoi se ajo ishte një mbulesë e vjetër tavoline, e përdorur që nga koha e diktaturës.

Hetuesit u drejtuan më pas edhe në varrezat e fshatit. Ata fotografuan dhe filmuan varret, ndërsa kërkuan edhe mundësinë e zhvarrimit të disa prej tyre. Prokurori Arben Dyla, sipas dëshmisë së tij, e kundërshtoi këtë kërkesë, duke argumentuar se nuk kishte baza ligjore dhe prova të mjaftueshme për një veprim të tillë.

Një tjetër moment i rëndësishëm ndodhi brenda banesës. Në një nga dhomat, një solucion i përdorur për zbulimin e gjurmëve të gjakut reagoi mbi dyshemenë e vjetër. Familjarët shpjeguan më vonë se në atë dhomë, vite më parë, kishte lindur një fëmijë. Hetuesit kontrolluan edhe një dhomë tjetër me dysheme dërrase dhe kërkuan të verifikonin nëse poshtë saj mund të fshihej ndonjë provë. Edhe këtë veprim, sipas Dylës, ai nuk e lejoi pa autorizimin përkatës.

Pas një dite të gjatë kontrollesh, grupi u kthye në Burrel. Të nesërmen hetuesit u rikthyen në zonën e Rripës, ku kryen fotografime dhe verifikime të tjera, përpara se të largoheshin. Për familjen Katuçi, kontrolli mbeti për vite me radhë një mister. Abdulla Katuçi, i cili në atë kohë ishte kryefamiljar, ka treguar se nuk e kishte kuptuar arsyen përse banesa e tij ishte vënë në qendër të një hetimi ndërkombëtar.

Ai dhe djali i tij, Mersimi, iu drejtuan me letra institucioneve shqiptare, duke kërkuar të mësonin qëllimin e kontrollit dhe bazën ligjore të tij. Në letrat e tyre ata kundërshtonin pretendimet që e lidhnin familjen dhe banesën e tyre me një aktivitet të paligjshëm transplantimi organesh. Çështja mori një tjetër përmasë disa vite më vonë, pas publikimit të pretendimeve të ish-prokurores së Gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte, lidhur me ekzistencën e pretenduar të një klinike transplantesh në zonën e Matit.

Pretendimet u pasqyruan gjerësisht edhe në mediat serbe dhe shqiptare. Familja Katuçi kërkoi që akuzat të provoheshin ose të përgënjeshtroheshin zyrtarisht. Ndërkohë, Prokurori i Matit Arben Dyla, i cili kishte shoqëruar hetuesit gjatë kontrolleve, ka deklaruar se ajo që u gjet në banesë dhe në zonën përreth nuk përbënte prova për ekzistencën e një klinike transplantimi organesh. Dëshmia e tij përshkruan një hetim të pazakontë, me kontrolle të hollësishme të banesës, verifikime në varreza dhe mbledhje të objekteve të ndryshme, por pa një rezultat që të provonte pretendimin për transplantime organesh.

A.Katuci

Foto: I ndjeri Abdulla Katuçi

Shtepia e Katucit 1
OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Foto: “Shtëpia e verdhë” në Gurrë të Matit

drejtesia pronari shtepise se verdhe speciale verteten
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Më 8 tetor miratohet harta e re territoriale/ Votat në favor të mazhorancës, PD kundër

17:48 / September 19, 2026

Zhvillimi i Qëndrueshëm 2026/ Rama: Përmbyllja e negociatave dhe integrimi në BE, objektiva realë

17:30 / September 19, 2026

“Haga”: Mandati i Dhomave të Specializuara varet nga BE

12:33 / September 19, 2026

Krim në familje, burri vret gruan me thikë në Tiranë/ Autori në kërkim

12:27 / September 19, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.