Bajern Mynih është kthyer shumë shpejt i vetëm në kryesimin e Bundesligës, pasi ka mundur në ndeshjen direkte rivalin kryesor, Borusian e Dortmundit. Skuadra e Hansi Flik ka tirumfuar me përmbysje 3-2 në transfertë duke treguar edhe një herë se dominimi në Bundesligë për momentin është i padiskutueshëm.
Edhe pse vendasit kaluan të parët në avantazh me Rojs, Alaba barazoi shpejt shifrat me një goditje dënimi. Më pas, Levandovski shënoi me kokë golin e 2-1 ndërsa Sane me një kundërsulm të shpejtë çoi shifrat në 3-1 për Bajernin. Nuk mund të mungonte as goli i Haland, i cili tundi rrjetën pak minuta para fundit të sfidës dhe rihapi ndeshjen për disa minuta emocionues.
Por kjo nuk i mjaftoi Borusias që të siguronte të paktën një barazim në këtë sfidë dhe pa se si Bajerni iu gëzua tri pikëve shumë të rëndësishme sidomos për faktin se dhanë një mesazh të qartë se kampionët nuk janë ende gati që të lëshojnë fronin ku ulen prej shumë vitesh me radhë.
