Shqipëria ka përuruar zyrtarisht sot godinën e re të misionit të saj në Bashkimin Europian, një hap simbolik dhe praktik drejt afrimit të vendit me anëtarësimin në BE. Ceremonia u zhvillua me praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.
Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila ndodhet në Bruksel për këtë event, shkruan se Shqipëria ndodhet më pranë misionit të saj, për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Shtëpia e re e misionit tonë në BE. Teksa hapja e të gjithë kapitujve të negociatave e fut vendin në një fazë të re, më pranë objektivit për anëtarësim, por edhe më sfiduesja…”.
Spiropali thekson rëndësinë e misionit shqiptar, duke e përshkruar atë si “fytyra e Shqipërisë në zemër të Europës”.
Më tej në postim, Spiropali shprehet se “tashmë kemi shtëpinë tonë në misionin për në BE”, duke nënvizuar godina e re, nuk është vetëm një çelës i ri për godinën, por edhe një hap drejt afërsisë së Shqipërisë me institucionet europiane dhe sfidave të reja, që sjell procesi i integrimit.
Ky mision i ri në Bruksel pritet të fuqizojë prezencën diplomatike të vendit dhe të shërbejë si një qendër koordinimi për të gjitha marrëdhëniet me Bashkimin Europian, duke shënuar një tjetër moment historik për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së.
