Misteri ka mbërthyer vdekjen e të riut Lear Kurti, i cili ndërroi jetë pas ndjekjes dhe ndalimit nga policia. Në të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore në lidhje me vdekjen e Lear Kurtit, i shoqëruar nga Policia në orët e vona të të mërkurës nuk përputhen me qëndrimet e personelit të Urgjencës së Spitalit të Traumës.
AMP në të dhënat paraprake, shkruan se 32-vjeçari pas shoqërimit në Komisariatin nr.3 shfaqi probleme shëndetësore dhe për këtë arsye u dërgua në Urgjencën e Traumës. Ndërkohë më tej theksohet se i riu shkoi me shenja jete edhe më pas gjeti vdekjen.
Spitali i Traumës ka dhënë një version ndryshe nga AMP, duke thënë se i riu është sjellë pa shenja jetë në spital. Sali Berisha akuzon se i riu është dhunuar dhe është lënë pa ndjenja nga ana e efektivëve të policisë, kjo mund t’i ketë sjellë edhe pasojat fatale. I riu dyshohet se ishte me epilepsi dhe përdorues droge, por këto detaje ende nuk janë vërtetuar nga ekspertiza mjekoligjore.