Kjo javë ka qenë e mbushur me lajmë të trishta si pasojë e konfliktit në Ukrainë dhe një i tillë erdhi dhe sot. Bëhet me dije se trajneri i Kombëtares Ukrainase të Çiklizmit, Aleksander Kulik është vrarë nga rusët. Fatkeqësisht, ai ka mbetur i vrarë ndërsa ishte në përpjekje për t’i ndihmuar qytetarët afër qytetit Suma që ata të evakuoheshin dhe të shpëtonin nga bombardimet ruse.
“Ne i shprehim ngushëllime familjes”, njoftoi me dhimbje Federata Ukrainase e Çiklizmit. Edhe Unioni Evropian i Ciklizmit është shprehur i tronditur nga ky lajm.
“Trajneri i nderit i Ukrainës ka ndërruar jetë derisa po mundohej t’i evakuonte civilët. Mendimet dhe lutjet tona janë për familjen e tij, miqtë dhe për Federatën Ukrainase të Çiklizmit, por edhe presidentit të saj, Andriy Hrivko”, shkruhet në profilin e tyre zyrtar.
Kulik është personi i katërt nga bota e sportit ukrainas që vritet brenda pak ditësh. Të martën ishte vrarë 19 vjeçari Yevhen Malyshev, i cili e kishte përfaqësuar Ukrainën për të rinj në sportin e biatlonit. Gjithashtu, në këtë luftë u vranë edhe dy futbollistë ukrainas, Vitaliy Sapyło e Dima Martynenko. Aleksander Kulik ishte babai i çiklistit lider të Ukrainës, Andriy Grivko. 32-vjeçari ishte kampion i Ukrainës para më pak se tre vjetësh dhe sigurisht se sugjerimet i ka marrë nga babai i tij tashmë i ndjerë.
