Vaksina ruse Sputnik V rezulton të ketë efektshmëri më të lartë se sa mendohej deri më tani.

Studimi më i ri i Institutit Gamaleja në Moskë që e ka zhvilluar këtë vaksinë e ka rritur vlerësimin për efikasitetin e saj në 97.6%, 6 pikë më shumë se vlerësimi i deritanishëm i pranuar edhe në studimet e publikuara në revistën shkencore Lancet në fillim të këtij viti.

Rritja e përqindjes së efikasitetit, sipas ekspertëve rusë bazohet tek rezultatet zgjerimit të vaksinimit në të paktën 3.8 milionë njerëz.

Po ashtu, ky studim arrin në përfundimin se Sputnik V krijon mbrojtje tepër të lartë në rast infektimi nga mutacionet e COVID-19 që janë aktualisht në qarkullim ku përfshihet varianti britanik, ai brazilian dhe afrikanojugor.

Rritja e përqindjes së kësaj vaksine e bën Sputnik V, më efektiven mes vaksinave anti-COVID që po injektohen aktualisht në gjithë globin, që tejkalon edhe Pfizer, aktualisht kurorë-mbajtës për efikasitetin më të lartë 94.5%.

Përfundimet e këtij studimi mbeten për t’u vërtetuar. Studimi i publikuar tek Lancet në Shkurt të këtij viti vërtetoi efikasitetin 91.6% të Sputnik V një vlerësim që ekspertët rusë e kishin dhënë që në mesin e vitit të kaluar, por që u përball me skepticizëm në Perëndim.

Sakaq, Greqia ka në plan ta njohë vaksinën ruse në certifikatat e vaksinimit, që lejojnë udhëtimin e lirë të shtetasve europianë për turizën brenda unionit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here