Ish-ministri socilaist i Shëndetësisë Ilir Beqaj do të pyetet sërish nga SPAK-u, në lidhje me hetimin për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Beqaj do të pyetet në lidhje me udhëtimet që ka bërë drejt Italisë dhe Vienës së bashku me ish-zëvendësin e tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që fitoi koncesionin, të dy këta të fundit të arrestuar tashmë.
Përveç tij, në SPAK do të pyeten edhe 4 ish-zyrtarë të tjerë. Marrja e tyre në pyetje ka qenë sugjerim i GJKKO në lidhje me hetimet.
Të dielën, përmes një shkrimi të gjatë, ish-ministri deklaroi se sterilizimi ngriti në një tjetër nivel kirurgjinë shqiptare dhe se kontratën e koncesionit e firmosi për nevoja pune. Ai nuk përmendi aspak mungesën e dokumentit origjinal të kontratës së koncesionit të sterilizimit, që SPAK nuk po e gjen.
Sipas Beqajt është e vërtetë që kur ka ardhur në detyrë ka gjetur gati centralin e sterilizimit në QSUT në 2013, por sipas tij nuk ishte e parashikuar se me se do i transportonte instrumentet e sterilizuar për tek Spitali i Traumës apo dy maternitetet dhe Sanatoriumi dhe si do riktheheshin për t’u sterilizuar rishtazi. E njëjta gjë edhe për spitalet e rretheve.
“Kush do i përballonte shpenzimet e këtij sterilzimi dhe transporti? QSUT për të gjithë Shqipërinë? Sa duhet të paguanin spitalet e tjera për këtë shërbim? Spitalet në Shqipëri nuk janë realitete ekonomikë që ofrojnë shërbime për spitale të tjerë. Prandaj ishte e nevojshme një operator i vetëm”.
Umbro Stakinin dhe Ilir Rrapajn, përfitues të koncesionit 100 milion euro nuk i kosnideron miq dhe e cilëson një rastësi fluturimin në të njëjtin avion. “I njoh të dy. I kam njohur pasi jam bërë ministër dhe në zbatim të detyrës sime si ministër. Nuk kam zhvilluar ndonjë miqësi të veçantë. Mund të qëllojë që në ato fluturime të jenë miq, shokë, kontraktorë, bashkëpunëtorë etj. Vetëm pse jenë atë fluturim kjo nuk besoj se është indicia për fajësi”.
