Është djali i një prej portierëve më të shquar të kombëtares shqiptare dhe duket se i ka trashëguar të gjitha aftësitë e babait e madje mund ta tejkalojë atë. Tomas Strakosha, djali i Fotos është tashmë një prej gardianëve më të mirë Italisë dhe më tej.
“Gazzetta dello Sport” ditën e sotme ka bërë një shkrim të gjatë për yllin e kombëtares sonë dhe tregon se është një nga më të mirët e Italisë, por jo vetëm. Strakosha është portieri i tretë më i mirë në Europë përsa i përket përqindjes së pritjes së gjuajtjeve që kanë shkuar drejt portës së tij.
Portieri i Lacios ka arritur të presë 77.88% të të gjitha gjuajtjeve të pësuara brenda kuadratit. Kjo përqindje e dërgon atë në vendin e tretë në Europë, teksa vetëm Alison i Liverpulit (80.36%) dhe Rajkoviç i Reims (79.07%) kanë bërë më mirë se Tomasi këtë sezon.
Jo më kot Lacio është mbrojtja më e mirë në Itali dhe ndodhet në vendin e dytë në renditjen e Serie A, si kurrë gjatë dekadës së fundit. Nuk duhet harruar kujdesi që Inzagi i ka kushtuar difensivës, por edhe udhëheqja e Strakoshës në prapavijë është fenomenale. Lacio është gati të rinovojë me të deri në vitin 2025 me një pagë që i kalon 2 milionë eurot në sezon.
