Stresi dhe Noizy janë ndoshta reperat më të mirë dhe më të pëlqyer shqiptarë, si dhe gjithashtu janë njohur për rivalitetin e tyre më të fortë. Megjithatë, që prej kohës kur të dy artistët i lanë pas kohët e vjetra dhe bënë paqe, fansat kanë vetëm një pyetje: Kur do të bëjnë një projekt së bashku? Reperët, të cilët ndër vite i kishin bërë shumë diss-e njëri-tjetrit, surprizuan jo pak kur zbuluan se i kishin dhënë fund mosmarrëveshjeve për të nisur një etapë të re.
“Tani jemi në moshë të madhe dhe njerëzit donin të na shihnin keq. Unë realisht nuk e kam armik. I kemi mbyll gjërat, secili në punë të tij, secili ka suksesin e tij. Ky është një lajm i keq për gjithë reperët, sepse të gjithë kanë pasur qejf të na shohin ndryshe”, deklaroi Stresi para pak kohësh.
Ndërkoh Stresi u pyet së fundmi gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit e tij në “Instagram” nëse do të ketë një bashkëpunim mes tij dhe Noizyt. Teksa nuk dha një përgjigje konkrete, Stresi nuk e ka përjashtuar mundësinë e një dueti mes tyre, por mesa duket ende nuk ka asnjë plan konkret.
“Çdo ditë këtë pyetje keni… E rëndësishme është që gëzojmë respekt për njëri-tjetrin dhe jemi bashkë. Për të tjerat vijnë vetë pa plane. Respekt për të gjithë fansat. Vetëm kështu të bashkuar, nuk ka asgjë që na thyen“, shkruan reperi.