Studentët e mjekësisë kanë paralajmëruar protesta të martën, 4 korrik, ditë e cila përkon me vizitën e ish-presidentit të SHBA, Bill Klinton.
Ata kanë zhvilluar dy protesta deri më tani për të kundërshtuar kontratën detyruese që pas përfundimit të studimeve të ofrojnë shërbim shëndetësor në spitalet e vendit atje ku nevojat janë më të mëdha. Por kjo është konsideruar diskriminuese nga ana e studentëve.
Kërkesat e studentëve
Dalje publike të një prej Ministrive apo e Rektoratit ku të deklarojë publikisht që ky draft nuk do të vazhdojë të hartohet dhe ndërprerjen imediate të propozimit, pasi bie ndesh me Të Drejtat dhe Liritë e personit për të zgjedhur lirisht pa asnjë detyrim profesionin, vendin e punës dhe kualifikimet e tij.
Të përmirësohen kushtet e sallave të seminareve dhe leksioneve dhe ndërtimin e sallave të reja me kapacitet mbajtës për të gjithë studentët e një paraleli.
Të vihen ne dispozicion ambiente të posaçme (Qendra e Simulimit) për kryerjen e praktikave (psh: intubim, vendosje e vigonave, praktikimi i ndihmës së parë etj)
Ndërtimi i bibliotekave të aksesueshme në çdo orar të ditës nga studentët.
Rivlerësimi i të gjithë literaturës nga një komision i posaçëm dhe ngritja sa më parë e grupeve të punës për krijimin e literaturave të reja sipas standardeve evropiane.
Standardizimi i kryerjes së praktikave nëpër pavijone dhe vendosja e mjekëve specializante si mentorë për studentët për kryerjen sa më mirë të cikleve klinike.
Ringritjen sa më parë të strukturave të Qeverisë Studentore.