Zgjidhet ngërçi i diplomave për studentët e Ekonomikut. Drejtuesit e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës bëjnë me dije se të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e parë “Bachelor”, apo ciklin e dytë të studimeve “Master”, tashmë do të mund të pajisen me diplomën përkatëse. Për të marrë këtë dokument studentët që nuk kanë aplikuar më parë, duhet të dorëzojnë dosjen e dokumenteve të përcaktuara.
Ndërsa studentët që i kanë dorëzuar më herët dokumentet tashmë e kanë gati kartonin e diplomës, të cilin duhet të paraqiten për ta marrë. Shkak për bllokimin e shpërndarjes së kartonit të diplomës u bënë përplasjet e nisura që gjatë verës së shkuar ndërmjet rektorit të mëparshëm të Universitetit të Tiranës dhe fakulteteve.
“Në lidhje me procedurën e pajisjes me kartonat e diplomave të studentëve të Fakultetit të Ekonomisë, të cilët kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve dhe kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për pajisjen me karton diplome, sqarojmë se pasi përfunduan zgjedhjet e organeve dhe autoriteteve drejtuese në UT në gusht 2020, filloi funksionimi ligjor edhe për këtë problem. Të gjitha diplomat e Fakultetit të Ekonomisë që nuk firmoseshin nga ish Rektori në shkelje flagrante të Ligjit, u firmosën që në ditët e para të punës pas dekretimit, nga Rektori i zgjedhur, Prof. Dr. Artan Hoxha. Janë firmosur 937 diploma”, bëjnë me dije autoritetet e këtij fakulteti.
Ndërsa për të gjithë studentët që nuk kanë dorëzuar ende pranë sekretarisë mësimore dokumentet e domosdoshme për prodhimin e kartonave të diplomave, duhet që t’i dorëzojnë ato sa më parë. Në dosjen e dokumenteve të depozituara duhet që të përfshini: 2 fotografi, kopje të diplomës së Maturës Shtetërore për programet “Bachelor”, si dhe diplomë “bachelor” për programet e Masterit. Në dosje duhet të përfshini edhe kopje të certifikatës personale. Tarifa që duhet të shlyeni për t’u pajisur me diplomën është 600 lekë. Mandati i kësaj pagese mund të merret në zyrën e informacionit të këtij institucioni të arsimit të lartë publik.
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor” synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Programet e studimit të ciklit të parë si rregull realizohen me 180 kredite europiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e UT-së për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Programet e studimit të ciklit të dytë në “Master i Shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Këto programe realizohen me 120 kredite dhe janë me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Studimet në këtë program përmbyllen me punim diplome dhe studentët pajisen me diplomë të integruar në fushën e arsimimit të kryer.
Ndërsa programet e studimit “Master Profesional” u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë të ciklit të parë njohuri me karakter praktik profesional në drejtimin përkatës. Realizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike, përkatësisht. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master Profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
Për t’u pajisur me diplomën duhet të dorëzoni sa më parë:
- Kopjen e diplomës së Maturës Shtetërore (për bachelor)/diplomë bachelor (për master).
- Kopje e certifikatës personale.
- Mandat pagesa 600 lekë (merret në zyrën e informacionit).
- 2 fotografi.