COVID-19 nuk është krijuar dhe madje, as është manipuluar në laborator. Ky është përfundimi i hulumtimit të botuar dje në revistën prestigjoze “Nature Medicine”, me titull: “Origjina fillestare e SARS-CoV-2” me autorë Kristian G. Andersen, i cili mund të na bëjë të zgjidhim disa nga pikëpyetjet tona në lidhje me këtë virus që po mban peng një botë të tërë.
Studiuesit në këtë përmbledhje nga analiza krahasuese gjenomike e 7 llojeve të njohura coronavirusesh që infektojnë njeriun, SARS-CoV, MERS-CoV, SARS-CoV-2, HKU1, NL63, OC43 dhe 229E, kanë arritur në përfundimin se SARS-CoV-2 (COVID-19) nuk është një virus i ndërtuar në laborator e as një virus i manipuluar me qëllim.
Në bazë të të dhënave gjenetike strukturore dhe biokimike ky virus lidhet me receptorin membranor njerëzor ACE2.
Zona proteinike e mbështjellës virusale (RBD) që lidhet me këtë receptor paraqet dhe pjesën më variable të gjenomës së Coronavirusit.
Kjo zonë proteinike ka një afinitet të lartë lidhjeje me receptorin ACE2 të njerëzve, nuselalës, maceve dhe specieve të tjera që përmbajnë këtë lloj receptori.
Ndërsa analizat sugjerojnë që SARS-CoV-2 mund të lidhë ACE2 njerëzore me një aftësi të madhe, analizat matematikore parashikojnë që bashkëveprimi nuk është ideal dhe se sekuenca lidhëse me receptorin është e ndryshme nga ato të paraqitura në më parë për virusin SARS.
Kështu që, lidhja me prirje të lartë e proteinës të SARS-CoV-2 për ACE2 të njeriut ka shumë të ngjarë të jetë si rezultat i përshtatjes natyrore me një receptor ACE2 njerëzor që ka çuar në një zgjidhje tjetër optimale lidhëse për virusin.
Kjo është një provë e fortë që SARS-CoV-2 nuk është produkt i manipulimit të qëllimshëm.
Karakteristika e dytë e virusit COVID-19 është një zonë S1-S2 polibazike në proteinën e mbështjellës virusale, e cila ka një rol përcaktues në infektivitetin viral dhe spektrin e bujtarëve që infekton.
Teoritë e origjinës së virusit
Është e pamundur që SARS-CoV-2 të ketë dalë përmes manipulimit laboratorik të një koronavirusi të ngjashëm me SARS-CoV të mëparshëm.
Siç u përmend më lart, zona lidhëse (RBD) e SARS-CoV-2 është optimizuar për t’u lidhur me ACE2 njerëzore me një zgjidhje efikase të ndryshme nga ato të ndodhura më parë.
Për më tepër, nëse do të ishte kryer manipulim gjenetik, një nga sistemet e kundërta gjenetike të disponueshme për betakoronaviruset do të ishte përdorur. Sidoqoftë, të dhënat gjenetike tregojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se SARS-CoV-2 nuk rrjedh nga ndonjë mostër gjenetike e përdorur më parë e virusit.
Studiuesit kanë propozuar dy skenarë që mund të shpjegojnë me siguri origjinën e SARS-CoV-2: (i) përshtatjen natyrore në një kafshë bujtare para transferimit në njerëz (zoonotik); dhe (ii) përshtatja natyrore tek njerëzit pas transferimit zoonotik.
Ekziston dhe mundësia e përshtatjes përgjatë transmetimit që të ketë dhënë SARS-CoV-2.
Meqenëse shumë raste të hershme të COVID-19 ishin të lidhura me tregun Huanan në Wuhan, është e mundur që një burim kafshësh të ishte i pranishëm në këtë vend.