Heqja e naftës falas për bujqësinë nga Skema Kombëtare 2026 ka sjellë një rënie të ndjeshme të numrit të fermerëve që kanë aplikuar për mbështetje financiare.
Më 6 korrik, në ditën e fundit të aplikimeve, janë regjistruar gjithsej 41.706 kërkesa, krahasuar me 69.917 aplikime një vit më parë. Kjo përkthehet në rreth 29 mijë aplikime më pak se në vitin 2025.
Nga 12 masat e parashikuara në skemë, numrin më të madh të aplikimeve e ka masa për pagesën sipas sipërfaqes së mbjellë, e cila këtë vit zëvendësoi subvencionimin me naftë falas. Për këtë masë kanë aplikuar 19.642 fermerë, ndërsa një vit më parë vetëm për përfitimin e naftës falas ishin regjistruar rreth 53 mijë aplikime.
Ndryshe nga sektori i bujqësisë, interesi për masat në blegtori ka shënuar rritje. Kjo lidhet me ndryshimet e bëra nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, i cili për vitin 2026 uli pragun e numrit të krerëve për përfitimin e subvencioneve.
Sipas të dhënave, 7.177 fermerë kanë aplikuar për mbështetje financiare për dele dhe dhi, ndërsa 6.923 aplikime janë dorëzuar nga bletarët, duke treguar rritje të interesit në këtë sektor. Po ashtu, 6.657 aplikime janë regjistruar nga blegtorët që mbarështojnë gjedhë.
Në anën tjetër, mbështetja për bujqësinë organike mbetet minimale. Vetëm 14 fermerë të certifikuar me standardin Global GAP kanë aplikuar për subvencion, megjithëse ky sektor konsiderohet një hallkë e rëndësishme për sigurinë ushqimore.
Risi e Skemës Kombëtare 2026 është edhe përfshirja e mbështetjes për rritësit e derrave, ku janë regjistruar 263 aplikime.
Ndërkohë, 267 fermerë të rinj kanë aplikuar për financim të investimeve në ferma me vlerë deri në 10 milionë lekë. Edhe pse kjo masë u prit pozitivisht në fillim, duket se procedurat për dorëzimin e dokumentacionit pranë AZHBR-së kanë ulur interesin e të rinjve për të përfituar nga kjo skemë.
Po ashtu, 26 fermerë kanë aplikuar për ndërtimin e staneve, ndërsa 172 të tjerë kërkojnë mbështetje për blerjen e makinerive bujqësore.
Fondi i Skemës Kombëtare 2026 është 5.2 miliardë lekë. Megjithatë, vlera e kërkesave të paraqitura pritet të arrijë në rreth 7 miliardë lekë, duke e bërë fondin aktual të pamjaftueshëm. Në këto kushte, Ministria e Bujqësisë pritet t’i kërkojë Ministrisë së Financave fonde shtesë për të përballuar kërkesat e fermerëve.
