Policia e Shtetit ka nisur një hetim për një fushatë të dyshuar të koordinuar në rrjetet sociale, që sipas autoriteteve synon dëmtimin e reputacionit online të bizneseve turistike në Shqipëri.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, bëri të ditur se deri tani janë identifikuar mbi 10 mijë llogari me aktivitet të dyshimtë, të cilat po verifikohen nga strukturat e specializuara të hetimit të krimit kibernetik.
Sipas tij, këto profile dyshohet se kanë publikuar në mënyrë masive komente dhe vlerësime negative ndaj bizneseve turistike, me qëllim krijimin e një perceptimi të rremë dhe dëmtimin artificial të imazhit të tyre në internet.
“Dyshohet se kanë publikuar në masë komente dhe vlerësime negative me qëllim krijimin e perceptimit të rremë dhe dëmtimin artificial të reputacionit online të bizneseve shqiptare”, deklaroi Hitaj.
Kreu i Policisë tha se analiza paraprake ka evidentuar modele të dyshimta aktiviteti në rrjete sociale, ku një pjesë e llogarive janë krijuar rishtazi për këtë qëllim, ndërsa janë identifikuar edhe profile më të vjetra që po i nënshtrohen verifikimit.
“Janë evidentuar raste ku e njëjta llogari ka publikuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, vlerësime negative për biznese të ndryshme në Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Elbasan, Shkodër dhe Korçë. Sinkronizimi kohor, ngjashmëria e përmbajtjes dhe mënyra e shpërndarjes së aktivitetit përbëjnë tregues kyç që po analizohen nga grupi hetimor për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar”, tha drejtori i Policisë së Shtetit.
Sipas Hitajt, nëse provohet se kjo veprimtari ka qenë e qëllimshme, pasojat nuk lidhen vetëm me dëmtimin e bizneseve individuale, por edhe me ndikimin në konkurrencën e ndershme, besimin e konsumatorëve dhe imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.
“Një aktivitet i tillë, nëse provohet se është i qëllimshëm, nuk cënon vetëm interesat e bizneseve të prekura, por prek edhe konkurrencën e ndershme, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si një destinacion turistik i sigurt”, u shpreh Hitaj.
Policia e Shtetit ka urdhëruar strukturat përkatëse që të intensifikojnë hetimet për identifikimin e personave përgjegjës, gjurmimin e infrastrukturës teknike të përdorur dhe mbledhjen e provave dixhitale në bashkëpunim me platformat online dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Çdo përpjekje e organizuar për të manipuluar perceptimin publik, për të dëmtuar bizneset tona apo për të cenuar interesin ekonomik të vendit do të trajtohet me prioritet maksimal. Strukturat tona do të vijojnë identifikimin e autorëve, gjurmimin e infrastrukturës teknike të përdorur, analizimin e lidhjeve ndërmjet llogarive dhe sigurimin e provave dixhitale, në bashkëpunim me platformat online dhe partnerët ndërkombëtarë”, deklaroi Hitaj.
