Ukrainasit janë goditur nga sulme ajrore me dronë rusë, të cilat vranë shtatë persona në një shkollë profesionale në Kiev.
Sipas zyrtarëve ukrainas njëzet persona janë shtruar në spital.
“Për fat, shumica e njerëzve, zbritën në një strehë të sigurt. Kjo i shpëtoi jetën. Ata ndoqën udhëzimet dhe sapo ra alarmi, ata zbritën për t’u strehuar dhe u larguan vetëm pasi ndodhën shpërthimet. Deri tani, si pasojë e sulmit me dron gjatë natës në rajonin e Kievit, shtatë persona kanë vdekur”, tha Iryna Pryanishnikova, zëdhënëse e policisë së rajonit të Kievit .
“Në orën 4:30 të mëngjesit mora një telefonatë nga jashtë, duke më pyetur nëse isha mirë. Nuk e kuptova pse po më pyesnin këtë, çfarë po ndodh. Thashë se jam duke fjetur dhe jam mirë. Dhe më vonë në mëngjes, pashë në lajme se një tragjedi e tmerrshme ndodhi këtu”, deklaroi Iryna, banore në Rzhyshchiv.