Prokuroria e Tiranës ka dhënë informacion lidhur me hetimet ndaj sulmit në sistemet kompjuterike të institucioneve të Republikës së Shqipërisë.
Më datë 19.07.2022, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal Nr.5430 për kryerjen e veprave penale “Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në Sistemet kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”, të parashikuara nga nenet 293/a, 293/b, 293/c, 293/ç, të Kodit Penal.
Objekti i hetimit të këtij procedimi penal, është sulmi kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-it që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë.
Po kështu, më datë 09.09.2022, është kryer tjetër sulm kibernetik në pajisjet dhe sistemet që administrohen dhe menaxhohen nga Ministria e Brendshme në Shqipëri.
Këto dy veprime duke qenë se janë kryer me të njëjtën tipologji dhe sulmi kibernetik ka ardhur nga i njëjti burim, po hetohen në një çështje të vetme.
Si në momentin e sulmit të parë, ashtu edhe në momentin e sulmit ndaj sistemit TIMS, Prokuroria ka qenë në çdo moment prezent në kryerjen e veprimeve të ngutshme duke operuar me vendimmarrjet urgjente që ka diktuar dinamika e veprimeve.
Në sistemet ku ka ndodhur sulmi është evidentuar një profil në dy rrjete sociale të ndryshme me qendër jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që i përkiste autoreve dhe bashkëpunëtorëve të këtij sulmi.