Pas Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka reaguar sot edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama. Kjo për fjalët mbi gjyqtarin e çështjes së arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. .
KLP thekson se mbështet punën e pavarur të prokurorëve dhe kërkoi nga të gjithë aktorët që të respektojnë integritetin profesional të prokurorëve.
”Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent”, thuhet ndër të tjera.
Deklarata e plotë
Në vijim të qëndrimeve të mëparshme për garantimin e pavarësisë së prokurorëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë rithekson mbështetjen ndaj institucionit të prokurorisë, për ushtruar funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Ruajtja e këtyre parimeve është thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Këshilli kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë. Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent.