Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky ka paralajmëruar se Rusia do ta paguajë shtrenjtë sulmin e ndërmarrë gjatë natës në rajonin e Kharkivit, ku humbën jetën 10 persona dhe u plagosën disa të tjerë.
“Padyshim që Ukraina do t’i përgjigjet sulmit, këtë ta kenë të qartë. Po aq e rëndësishme është që partnerët tanë t’i shoqërojnë kundërpërgjigjet tona të drejta ushtarake me veprimet e tyre për të ushtruar presion ndaj Rusisë dhe për të mbështetur Ukrainën”, deklaroi Zelensky.
Sipas presidentit ukrainas, ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë në zonën e goditur dhe kanë shuar zjarret, ndërsa shërbimet e tjera vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe po punojnë për të përcaktuar të gjitha rrethanat e sulmit.
Shënjestra e goditjeve duket se ka qenë Peçenihy, një fshat në rajonin e Kharkivit, ku, sipas autoriteteve ukrainase, janë dëmtuar ndërtesa banimi dhe dyqane.
Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara kanë arritur me kompaninë Raytheon një kontratë shtatëvjeçare me vlerë 22.9 miliardë dollarë, që synon rritjen e ndjeshme të prodhimit të raketave Tomahawk.
Sipas Reuters, marrëveshja do të mundësojë rritjen e prodhimit në më shumë se 1,000 raketa në vit, nga rreth 60 që prodhohen aktualisht.
Zelensky ka kërkuar më herët nga Shtetet e Bashkuara furnizimin me raketa Tomahawk, madje duke sugjeruar edhe një formë bashkëpunimi, ku Kievi do të ofronte dronë të prodhuar në Ukrainë në këmbim të raketave amerikane.
