Një grup hakerash, i identifikuar me emrin n0n, ka marrë përgjegjësinë për një sulm kibernetik ndaj sistemeve që ka çuar në rrjedhjen e të dhënave personale të mijëra klientëve të Visa, Mastercard dhe JPMorgan Chase.
Sipas The Wall Street Journal, i cili i referohet kompanisë së sigurisë kibernetike SOCRadar, grupi i hakerave n0n ka pretenduar se është përgjegjës për ndërhyrjen në sistemet e këtyre kompanive.
Më 16 nëntor, grupi njoftoi se kishte siguruar dosje që u përkisnin mbajtësve të kartave bankare. Sipas një pamjeje të mesazhit, të regjistruar nga platforma e kërkimeve mbi krimin kibernetik eCrime.ch, materialet përfshinin “qindra mijëra ndërveprime në kuadër të fushatave që lidhen me dhjetëra mijëra adresa të ndryshme elektronike të mbajtësve të kartave”.
Të dhënat e ekspozuara përfshijnë, sipas Reuters, 124 adresa elektronike të punonjësve të bankave dhe më shumë se 16 mijë adresa elektronike të klientëve. Disa prej tyre shoqëroheshin edhe me numra telefoni dhe kode postare.
Një zëdhënës i Visa-s i tha The Wall Street Journal se incidenti kishte të bënte me një ofrues të jashtëm shërbimesh në rajonin e Azi-Paqësorit.
Nga ana tjetër, një përfaqësues i Mastercard deklaroi se sulmi kishte ekspozuar “një sasi të kufizuar informacioni nga një grup i caktuar mbajtësish kartash, të cilët ishin regjistruar në një program specifik përfitimesh”.
Sipas kompanisë, ekspozimi i të dhënave është kufizuar dhe nuk ka prekur rrjetin e pagesave të Mastercard apo aftësinë e klientëve për të përdorur kartat e tyre.
Ndërsa JPMorgan bëri të ditur se objektiv i sulmit kishin qenë palë të treta që ofrojnë shërbime për bankën. Sipas The Wall Street Journal, banka vlerëson se sulmuesit kanë mundur të sigurojnë akses në të dhënat e marketingut, të cilat mund të përfshijnë emrat dhe adresat elektronike të klientëve.
Banka sqaroi se incidenti nuk ka shkaktuar ndërprerje në shërbimet ndaj klientëve.
Asnjëra prej tre kompanive nuk bëri të ditur identitetin e ofruesit të jashtëm të shërbimeve që u godit nga sulmi. Gjithashtu, të tria kompanitë konfirmuan se të dhënat e pagesave nuk janë prekur.
Pas njoftimeve për incidentin, aksionet e Visa, Mastercard dhe JPMorgan Chase shënuan rënie në bursë, ku më e larta ishte ajo e Visa-s, me 2.6%.
