Sulmet kibernitike nga Irani, kanë vënë në rrezik të lartë sigurinë kombëtare, ndaj dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Grigels Muçollari, në një deklaratë për mediat paraditen e sotme, bëri thirrje që kryeministri Edi Rama të sqarojë se ku përfunduan këdo të dhëna, ndërsa po ashtu ka kërkuar që SPAK të nisë hetimin ndaj AKSHI-n. “Paaftësi apo përfshirje, këtë duhet ta përcaktojë drejtësia! Bashkë do të vijojmë komunikimin në ditet në vazhdim, me informacione të tjera lidhur me këtë çështje”.
Deklarata e plotë:
Partia Demokratike, duke filluar nga sot, do të publikojë një investigim mbi të ashtuquajturin “Sulm kibernetik mbi Shqipërinë”.
Ky sqarim është i domosdoshëm për të kuptuar nivelin e degradimit të shtetit shqiptar dhe rrezikun e madh që i kanoset qytetarëve tanë. Rasti me i fundit ai i hakerimit te sistemit tims eshte prova se e gjithë baza e të dhënave që administrohet nga shteti: nga qeveria, doganat, tatimet, hipotekat, gjendja civile, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, Sistemi i Lejeve të Drejtimit dhe ai i targave, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor me sistemin e Recetës Elektronike, vërtetimi i ndihmës ekonomike dhe i kërkesës për të përfituar strehim social, listat e notave dhe vërtetimi i diplomës në Universitetin e Tiranës, të gjitha ranë në kontrollin e hajdutëve të informacionit. Të dhënat personale të shqiptarëve, numrat telefonikë, kartat e identitetit, dëshmitë e penalitetit, janë në duart e keqbërësve dhe me to mund të bëjnë ç’të duan: T’i nxjerrin shqiptarët debitorë, me detyrime të pashlyera tatimore për biznesin e madh dhe të vogël; të fshijnë historikun e pagesave që kanë bërë ndër vite, derdhjen e kontributeve në sigurimet shoqërore e shëndetësore, etj. Është një shpartallim nga të katërta anët.
Ata që disponojnë këto informacione, dinë gjithçka për shqiptarët. Situata është tejet kritike, nëse i shtojmë faktin se askush nuk mbajti përgjegjësi për thyerjen e sigurisë dhe paaftësinë për të izoluar në kohë aktivitetin e paligjshëm dhe rikuperuar të dhënat.
Për 2 javë, shqiptarët nuk mundën të merrnin asnjë shërbim nga shteti i tyre, as certifikata personale, certifikata pronësie, dëshmi penaliteti e shumë dokumente të nevojshme, duke pësuar një dëm të madh financiar nga vonesa apo mostërheqja. Siguria e portalit e-Albania u shkërmoq lehtësisht, dhe është ende një pre e lehtë për grabitqarët kibernetikë. Nuk përjashtohet mundësia e rrjedhjes së informacionit nga brenda zyrave të shtetit. Administrata ka brenda një kontigjent që punon për interesat e krimit të organizuar.
Autoriteti përgjegjës që zhvillon, administron dhe mirëmban të gjithë infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, njohur shkurt si AKSHI. AKSHI ka kontraktuar Jones Group International, një kompani e huaj që vepron në fushën e Teknologjisë së Informacionit, në vlerën e perafert 4 miliarde e 300 milion lekë pa TVSH, për të mundësuar sigurinë dhe ruajtjen e të dhënave në sistemet shqiptare të informacionit. Janë paguar miliona euro dhe vazhdojnë të paguhen miliona euro nga paratë e shqiptarëve, por puna për të cilën kjo kompani paguhet, rezultoi zero me bisht.
Në ditët në vijim, Partia Demokratike do t’ju bëjë të ditur procedurat që AKSHI ka kryer ne vitet e fundit. Informacionet që disponojmë shpien në përfundimin se AKSHI është një kampion i shpërdorimit dhe abuzimit me paratë publike. Kjo strukturë është në vartësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit Rama, i cili ka detyrimin ligjor të sqarojë shqiptarët se, ku përfunduan të dhënat e tyre dhe si janë përdorur ato. Të bëjë transparencë të plotë menjëherë për rezultatet e hetimit që deklaroi se po vijon, duke filluar me emrat e përgjegjësve direktë, atyre që futën duart, porositësve të tyre dhe të tjerëve që e lejuan këtë poshtërsi!
Kërkojmë gjithashtu nga SPAK të nisë menjëherë hetimin ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe drejtoreshës Mirlinda Karçanaj, si zyrtarja përgjegjëse për ruajtjen dhe mbrojtjen e sistemeve të sigurisë së të dhënave, si dhe ndaj eprorit të saj, kryeministrit Edi Rama, të cilit ajo i raporton. Paaftësi apo përfshirje, këtë duhet ta përcaktojë drejtësia! Bashkë do të vijojmë komunikimin ne ditet ne vazhdim, me informacione të tjera lidhur me këtë çështje.