Edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka dënuar ashpër sulmin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në protestën e djeshme.
I ftuar në rubrikën Opinion, Imami shpërtheu në akuza në drejtim të Ramës, për të cilin tha se e ka kthyer vendin në një territor që kontrollohet nga krimi i organizuar.
“Sali Berisha menjëherë doli qetësoi situatën dhe mbajti fjalimin e tij.
Opozita dje realizoi qëllimin politik me kosto shumë të larta njerëzore. Mbajti një protestë paqësore, pro-evropiane dhe nuk u mor me çështjen e agresionit. U mor me demaskimin e problemeve të qeverisë përballë gjithë botës.
Kjo është urtësi politike, është inteligjencë, të mbash një ngjarje të tillë në ato kushte do lidership të vërtetë.
Këtu është përdorur dhunë në mënyrë të vazhdueshme që nga fillimi i kësaj qeverie. Filloi me prishjen e pallatit të vjehrrit të Lul Bashës, vazhdoi me prishjet në Durrës, janë prishur edhe stanet e fshatarëve, kjo është dhunë.
Nuk ka asgjë për t’u çuditur në këto që ndodhin. Dhuna psikologjike, dhuna mediatike, vrasja e tjetrit si person, duke e goditur me të gjitha mjetet për ta vrarë në opinionin publik është një formë që po mbizotëron me këtë qeveri. Cili është kuptimi i një qeverisjeje që nuk kontrollon territorin, e kthen në një territor të lirë për kriminelët. Ky është një territor i marrë nën kontroll nga kriminelët që grabisin pronën dhe qytetarët”, tha Imami.