Superliga shqiptare e futbollit nisi këtë të premte me raundin e 29-të. Në stadiumin “Elbasan Arena” vendasit e AF Elbasanit barazuan 0-0 kundër Egnatias. Të besuarit e Ivan Gvozdenovic nuk mundën të merrnin tri pikë në shtëpi kundër kampionëve në fuqi të vendit, por sërish ngjiten në krye të Superligës (kanë një ndeshje më shumë) pas një përballjeje që u shoqërua me shumë tension dhe dy kartona të kuq.
Ndeshja nisi me dy skuadrat që po studionin njëra-tjetrën. Në minutën e gjashtë, pas një faulli antisportiv në dëm të Sotës dhe pas pamjeve në VAR, kryesori Andi Koçi i akordoi kartonin e kuq direkt futbollistit të AF Elbasanit, Insa Boye. Në minutën e 29-të forcat në fushë do barazoheshin pasi Flamur Ruçi la Egnatian me një lojtar më pak, pas daljes me dy kartona të verdhë.
Në pjesën e dytë rastet më të mira i pati AF Elbasani me të përhershmin Xhonathan Lajthia, por në një moment gardiani Mario Dajsinani ishte në lartësinë e detyrës. Në fund të dyja skuadrat ndanë nga një pikë, teksa në stadium kishte afro 6 mijë tifozë.
Pas ndeshjes së parë të këtij raundi, AF Elbasani me 53 pikë merr kreun e renditjes, një më shumë se Vllaznia që luan nesër kundër Dinamos në ‘Loro Boriçi’. Kjo javë mbyllet të dielën me sfidën KF Tirana – Vora.
Superliga shqiptare e futbollit, raundi i 29-të:
E premte, 20 mars 2026
AF Elbasani 0-0 Egnatia
E shtunë, 21 mars 2026
15:00 Bylis – Flamurtari
18:00 Teuta – Partizani
18:00 Vllaznia – Dinamo
E diel, 22 mars 2026
15:00 KF Tirana – Vora
Renditja:

