Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka denoncuar mungesën e mbështetjes nga qeveria. Për të ka çuar në shpunësime masive dhe vështirësi të mëdha për kompanitë prodhuese. ”Prej disa vitesh dhe çdo tremujor kemi paralajmëruar qeverinë se sektori fason po lëngon. Rënia e punësimit në këtë sektor është një fakt që vjen nga shpunësimet masive”,-u shpreh Tabaku.
Postimi i plotë
13.1% më pak të punësuar në sektorin prodhues në Shqipëri. E gjitha kjo vjen nga rënia e punësimit në sektorin fason. Sa vite kemi, sa tre-mujorë kemi që i themi qeverisë që sektori fason po lëngon? Zhvlerësimi i euros i ka bërë produktet shqiptare të pashitshme, si në tregjet rajonale ashtu edhe në tregjet europiane.
Mungesa e mbështetjes nga qeveria, mungesa e një sistemi fiskal dhe taksash që ta mbështesë këtë sektor. Mungesa e një mbështetjeje reale për eksportet të gjitha këto kanë munguar. 13.1% e rënies së punësimit vjen nga shpunësimet masive që kanë ndodhur në sektorin fason. Cila është zgjidhja? Nuk ka nevojë as të shpikim rrotën dhe as të bëjmë ndonjë mrekulli. Zgjidhja është e thjeshtë.
Së pari, vendosja e një prioriteti të qartë për të mbështetur produktet shqiptare. Së dyti, krijimi i një agjencie për eksportet dhe një fond subvencionesh për këdo që do të shesë produktet shqiptare. Së treti, një sistem taksash që mbështet dhe nxit prodhimin.
Duhet të vijë nga një ekonomi që nuk bazohet te paraja e pistë, e cila zhvlerëson euron. Sot është vonë, shpunësimet kanë ndodhur. Unë besoj se kjo është një arsye shtesë për të mbështetur Partinë Demokratike dhe programin e saj ekonomik.