Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, u takua ditën e sotme me kryetaren e komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku. Në fokus të diskutimit të tyre ishin temat që lidhen me çështjet kryesore të Shqipërisë në procesin e integrimit.
Në takim deputetja demokrate Tabaku vlerësoi vullnetin politik të Presidentes Von Der Leyen në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu edhe për integrimin e Ukrainës. Më tej, ajo shtoi se qeveria shqiptare duhet të ketë angazhime serioze për të mos u investuar në projektligje që janë shqetësim për vendin dhe gjithashtu edhe Brukselin. Ajo e vuri theksin në angazhimin e qeverisë për Amnistinë Fiskale që jo rrallë është përmendur publikisht nga mazhoranca dhe që përbën një vijë të kuqe të BE dhe Partisë Demokratike.
Fokus të veçantë për të dyja palët kishte dhe ligji i ri për Rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, ndryshuar me nismën e znj. Tabaku, ku përforcohej edhe më shumë roli i parlamentit. Një përpjekje, siç e shpjegoi ajo, që qytetari shqiptar të përfitojë realisht nga një proces që duket shumë teknokrat kur në fakt është një proces për shqiptarët.
Një temë e diskutimit ishte dhe ajo e rrjedhjes së të dhënave nga sistemi TIMS, që sipas zonjës Tabaku është dëshmi e një shteti që është disfunksional. Ajo vuri në dukje se të dhënat e mbi 900 mijë shqiptarëve dolën në skemën e famshme të Patronazhistëve ndërkohë që të dhënat e targave, pagave dhe sulmi iranian kibernetik demonstruan probleme që bëjnë fajtor qeverinë. Sipas saj skandali TIMS me të dhënat personale është një nga ato probleme që prekin thellë besueshmërinë e qverisë sonë dhe institucioneve shqiptare, ndaj kërkoi që të shtohej kërkesa për implementimin e GDPR. Një kërkesë që tanimë kërkohet dhe nga raporti i progresit.
Me shqetësim znj. Tabaku foli edhe në lidhje me fondet IPARD. Në planin e komisionit që ajo drejton, u shpreh deputetja demokrate, do jetë në fokus një analizë dhe një dëgjesë e gjatë publike me menaxhimin e këtyre fondeve nga AZHBR.