Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag Johann Wadephul në një intervistë ekskluzive për DW flet për situatën politike në Shqipëri dhe procesin integrues të vendit.
Përsa i përket çeljes së negociatave ai thotë se me shumë gjasa vendimi do të merret në shtator, pasi rekomandimi i Komisionit të BE-së do të vijë pas zgjedhjeve evropiane.
“Ne jemi në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së dhe ky do të na vijë pas zgjedhjeve evropiane. Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t’i organizojmë konstultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator. Por parimisht u kemi thënë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor se janë pjesë e Evropës dhe se e kanë vendin në Bashkimin Evropian. Dhe, nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman, duke i mundësuar qeverisë gjermane që të votojë në nivel europian”, thotë Wadephul.
I pyetur nëse Shqipëria i ka plotësuar kushtet për çeljen e negociatave, zyrtari gjerman thotë se duhet të presë raportin e Komisionit të BE që të shohë situatën në vend. “Sot e kam të vështirë të jap një vendim. Prandaj them se duhet të ecet përpara. Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur. Por ka shumë shanse që të arrihet”, vijon ai.
Përsa i përket krizës politike, ai thotë se ka zgjidhje gjithmonë, duke e konsideruar problematike faktin që PD-ja, partia simotër e CDU/ CSU në Shqipëri, nuk mund të marrë pjesë në Parlament. “Unë besoj se është e rëndësishme që Shqipëria të gjejë veten. Prandaj u them partive pro-europiane që të arrijnë kompromise në nivel kombëtar dhe të vijnë së bashku në Evropë”, vijon zyrtari gjerman.
E në fund, ai ka dhe një thirrje për Bashën: “Mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda. Demokraci do të thotë komunikim, grindje, por edhe aftësi për kompromis. Pa kompromis nuk ka demokraci”.