Dy fëmijë të moshave 4 dhe 2 vjeç, të cilët frekuentonin një çerdhe dhe një kopësht privat në kryeqytet janë paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, pasi janë dëmtuar.
Mësohet se dy rastet e dëmtimit të fëmijëve kanë ndodhur në një çerdhe në rrugën “Dalip Zavalani” dhe në një kopësht në rrugën “Peti”.
Në rastin e parë, fëmijën e ka dërguar në kopsht gjyshja dhe po ajo e ka marrë. Nga pamjet e kamerave që janë sekuestruar, ka rezultuar se pasi gjyshja ka marrë fëmijën, e ka tërhequr nga krahun keq.
Kjo duket edhe në pamje. Madje vetë ajo e ka pranuar dhe prindërit nuk kanë pretendime për dhunë ndaj të miturit.
“Më datë 10.11.2023, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore një e mitur 2-vjeçare, e dëmtuar në pjesën e krahut, e cila frekuenton një çerdhe në rrugën “Dalip Zavalani”. Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar DVR-në me pamjet filmike të çerdhes që frekuenton e mitura, për veprime të mëtejshme procedurale, dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vlerësim.”-njofton policia.
Ndërsa në rastin tjetër në kopshtin në rrugën “Peti”, nga njoftimet paraprake thuhet se fëmija është dëmtuar duke luajtura me një bashkëmoshatar.
“Më datë 10.11.2023, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore një i mitur 4 vjeç, i cili sipas deklarimeve të prindërve, është dëmtuar duke luajtur me një bashkëmoshatar, në një kopësht në rrugën “Peti”-njofton policia.