Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim dhe ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann zhvilluan sot një takim me komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Në këtë takim, Celibashi prezantoi dhe platformën elektronike për raportimin financiar, ku theksoi se ky sistem do të forcojë monitorimin lidhur me financimin e partive politike, ku do të kërkohet transparencë mbi fondet e dhëna në fushatë.
Postimi i plotë
Në KQZ Shqipëri sot me Ambasadoren e European Union in Albania, Christianne Hohmann dhe Ambasadoren e U.S. Embassy-Tirana, zj Yuri Kim, bashkëbiseduam mbi përgatitjet e zgjedhjeve Vendore 14 Maj 2023, shpërdorimin e burimeve shtetërore për fushatë, dukurinë e shitblerjes së votës, transparencën e financimeve në zgjedhje dhe pastërtinë e figurës së kandidatëve që do të garojnë për t’u zgjedhur.
Ambasadoret Hohmann dhe Kim theksuan se zgjedhjet e 14 Majit nuk janë thjesht për të zgjedhur qeverisjen vendore, por një test i mirëfilltë për progresin e demokracisë shqiptare dhe se të gjithë sytë e partnerëve ndërkombëtarë janë fokusuar mbi këto zgjedhje.
Theksova dyfishimin e institucioneve shtetërore raportuese në KQZ, ndalimin e mbi 20 aktiviteteve publike, trefishimin e numrit të sanksioneve nga KQZ dhe garantova Ambasadoret Kim dhe Hohmann se KQZ do të vijojë të mbetet e baraslarguar nga politika dhe do të veprojë vetëm në zbatim të ligjit.
Falënderova Ambasadoren e Bashkimit Europian dhe Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e fortë ndaj KQZ dhe kontributin e tyre për institucionin.
