Këtë të mërkurë, drejtorët e Policisë së Shtetit zhvilluan një konferencë me policitë e kryeqyteteve europiane, kjo për të garantuar një rend për sigurinë e vendit. Kryepolici Muhamet Rrumbullaku tha se bashkëpunimi me partnerët është i domosdoshëm në një moment kur krimi është kthyer në një ndër kërcënimet më serioze.
“Krimi është sot më shumë se kurrë pa një trajtë të caktuar, i informuar dhe i përgatitur dhe e vetmja mënyrë është me anë të sigurimit të rendit. Për ta përmbushur efektivisht këtë mision duhet të bashkërendojmë me njëri-tjetrin eksperiencat dhe idetë tona profesionale. Qëllimi i përbashkët për bashkëpunim për parametrat e sigurisë s’është vetëm deklarativ por edhe në praktikë”,-tha Rrumbullaku.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi nga ana tjetër, tha se Shqipëria pati një transformim në mënyrën sesi ka ndikuar për të luftuar krimin e organizuar brenda dhe jashtë kufijve. Çuçi thekson edhe se Shqipëria nga thjesht informatore mori rolin e pjesëmarrësve dhe madje të rolit drejtues në skuadrat hetimore në goditjen e grupeve kriminale.
