Eduard Rroca i ka shtuar dy asiste të tjerë bilancit mbresëlënës të këtij edicioni të pare në futbollin turk, ku është kthyer në protagonistin absolut të Istanbulsporit. Mesfushori i cili vetëm pak muaj më parë la skuadrën e Kukësit, po shkëlqen në kategorinë e dytë turke duke shënuar, por sidomos duke dhënë pasimet e duhura për shokët e skuadrës, ndërsa është bërë që tani lojtari kryesor i këtij kampionati sa i përket kësaj statistike.
Istanbulspor është ngjitur sot në vendin e dytë në renditjen e kampionatit të kategorisë së dytë turke me një fitore bindëse 5-0 ndaj Balikesirspor dhe me Rrocën që ishte protagonisti i vetëm mes shqiptarëve në fushë, pasi në këtë sfidë mungoi si Abazaj, ashtu edhe blerja më e fundit e klubti të tij, Valon Et’hemi.
Rroca la shenjë në këtë duel duke dhënë asistet për golin e dytë dhe të katërt të skuadrës së tij, në një ndeshje ku ai luajti të 90 minutat dhe regjistroi edhe një karton të verdhë. Me këto dy asiste, bilanci i futbollistit për këtë sezon shkon në 7 të tillë, duke qenë absolutisht lojtari kryesues i kësaj kategorie, pasi ndjekësi më i afërt ka vetëm 4 të tillë. Duke i shtuar edhe 5 golat që ka shënuar deri tani mesfushori, rezulton se Rroca ka patur gisht në 12 nga 37 golat e Istanbulspor në këtë kampionat. Vetëm sulmuesi Marko Paiksao i Altaj me 12 gola e 2 asiste ka qenë pjesëmarrës në më shumë aksione goli se sa mesfushori shqiptar i cili këto shifra të jashtëzakonshme I ka regjistruar në vetëm 14 ndeshje me fanellëm e Istanbulspor në kampionat.
