Drejtori sportiv i Lacios Igli Tare, ka realizuar sërish një goditje në merkato teksa ka firmosur me talentin e mbrojtjes Strahinja Pavloviç. Lojtari vetëm 18-vjeçar do të mbërrijë në Romë nga skuadra e Partizanit të Beogradit. Për serbin në garë ishte edhe Juventusi, madje bardhezinjtë kanë pasur tratativa të avancuara disa muaj më parë, ndërsa Pavloviç konsiderohej një futbollist i bardhezinjve.
Mirëpo, bisedimet kishin ngecur dhe në këtë formë Lacio e udhëhequr nga Tare shfrytëzuan momentin për të firmosur me mbrojtësin 193 cm të gjatë. Kosto e operacionit ka kapur shifrat e 5.5 milionë eurove, ndërsa Pavloviç do të qëndrojë edhe një sezon te Partizani i Beogradit për të veshur më pas në sezonin e ardhshëm fanellën e kryeqytetasve.
Kështu, drejtori shqiptar i bardhekaltërve vazhdon me traditën e tij për të firmosur me futbollistë të rinj e më pas për t’i promovuar, nga ku më pas Lacio arrin të fitojë një plusvalencë të madhe në merkato.