Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar lidhur me vendimin e Urdhrit të Stomatologëve për listën e çmimeve dysheme për shërbimet në klinikat dentare.
Autoriteti thotë se e ka marrë këtë vendim të Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologut dhe thotë se do të vlerësojë këtë akt normativ dhe do të shprehet me vendimmarrje nga ana e Komisionit të Konkurrencës nëse ky akt bie në kundërshtim ligjin nr. 9121/2003.
“Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka si mision mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, në bazë të nenit 69 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar vlerëson shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës të çdo projekt-akti normativ që, në mënyrë të veçantë, ka të bëjë me: a) kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin; b) vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara; c) imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.