Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) së bashku me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri organizuan sot një aktivitet në kuadër të Ditës Botërore të Zgjedhjeve.
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran ka komentuar gjithashtu edhe punën e Kuvendit për hartimin e Reformës së re Zgjedhore.
Tarran inkurajon ligjvënësit për të vijuar bashkëpunimin në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ndërsa i referohet rekomandimeve të ODIHR duke thënë se disa probleme vijojnë ende të jenë të pazgjidhura.
“Rekomandimet e ODIHR janë për të përmirësuar ligjin e zgjedhjeve, dhe këtu inkurajojmë punën e komisionit për reformën zgjedhore. Shpresojmë shpejt të fillojë punën e tij. Puna e tij është shumë e rëndësishme, sepse ka disa probleme të lidhura me ligjin zgjedhor që, sipas nesh, nuk është akoma aty ku duhet të jetë. Ky është rekomandim i vazhdueshëm i misionit të ODIHR. Më duket se kësaj here mesazhin e ODIHR e kanë lexuar dhe partitë politike”, tha Tarran.
Për sa i përket debatit politik, ambasadori sqaron se nuk përfshihet.
“Sa i përket debatit politik, ne nuk përfshihemi. Por të gjitha partitë politike janë dakord që ligji zgjedhor duhet të ndryshojë. Do të ndihmojmë për të punuar në këtë drejtim”, tha Michel Tarran.
