Të ardhurat buxhetore gjatë dy muajve të parë të vitit 2026 kanë shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa shpenzimet publike janë realizuar nën planin e parashikuar.
Sipas treguesve paraprakë fiskalë t[ publikuar nga Ministria e Financave, për periudhën janar-shkurt 2026, të ardhurat totale në buxhet arritën në rreth 130.3 miliardë lekë, duke përmbushur 104,4% të planit të periudhës dhe rreth 15,8% të planit vjetor.
Krahasuar me dy muajt e parë të vitit 2025, të ardhurat janë rritur me 13.4 miliardë lekë, ose 11,5%.
Të ardhurat e mbledhura nga administratat tatimore dhe doganore arritën në 80.8 miliardë lekë, rreth 3.1 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Nga administrata doganore u arkëtuan 33.1 miliardë lekë, që përfaqëson 91,7% të planit të dymujorit. Pjesën kryesore e zënë të ardhurat nga TVSH në import, të cilat arritën në 21.5 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga akciza u realizuan në 10 miliardë lekë, rreth 5,9% më shumë krahasuar me vitin 2025.
Ndërkohë, nga taksat doganore u mblodhën 1.3 miliardë lekë, në rritje me 8% në raport me një vit më parë, ndërsa renta minerare në eksport arriti në 234 milionë lekë.
Të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore u realizuan në 47.7 miliardë lekë, rreth 8,2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 3,1% mbi planin e dymujorit.
Brenda këtij grupi, TVSH neto në vend arriti në 18.5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 14,9% krahasuar me janar-shkurtin e vitit 2025.
Gjatë kësaj periudhe, rimbursimet e TVSH-së u realizuan në vlerën 1.5 miliardë lekë.
Nga tatimi mbi fitimin u arkëtuan 7.4 miliardë lekë, rreth 15,6% më shumë se një vit më parë, ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale arriti në 14.1 miliardë lekë, me rritje prej 3,8% në bazë vjetore. Të ardhurat nga taksat nacionale u realizuan në 7.7 miliardë lekë, ose 94,1% e planit të periudhës.
Ndërkohë, të ardhurat nga fondet speciale, që përfshijnë kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën në 32.2 miliardë lekë, rreth 7,7% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025 dhe në nivelin 100,1% të planit të dymujorit.
Sa i përket shpenzimeve, ato arritën në 100.6 miliardë lekë për dy muajt e parë të vitit, me një realizim prej rreth 92% të planit.
Krahasuar me janar-shkurtin e vitit 2025, shpenzimet publike rezultojnë 7,2% më të larta, ose rreth 6.7 miliardë lekë më shumë.
