Në dukje çdo profesion i tjetri na duhet më i thjeshtë se i joni. Puna e këngëtarëve, vërtet shikojmë vetëm pjesën më të bukur, por nuk dimë se sa net pa gjumë kalojnë ata duke punuar, shkruar tekste e dëfryer deri në mëngjes publikun në lokalet e natës.
Përgjithësisht për ata që dalin në ekran, ekziston stereotipi se kanë “punë qejfi”. Por kjo nuk është aspak e vërtete. E njëjtë është situata edhe për profesionin e gazetarit. Në shi, breshër, në vapë të madhe, në terren të vështirë ti duhet të jesh aty, të informosh qartë, mirë e saktë.
Jo vetëm të tilla probleme, shpesh harrojmë se edhe gazetarët janë njerëz. Ndonëse kanë rregull të mos përfshihen në lajm teksa raportojnë, kur bëhet fjalë për tragjedi të rënda, puna bëhet ende më e vështirë për t’iu përmbajtur etikës gazetareske.
Ola Bruko, prej vitesh gazetare lajmesh, ka rrëfyer dy ngjarjet të cilat, në gjithë karrierën e saj, i ka quajtur më të vështirat. Njëra prej tyre, tragjedia e 9 janarit, shkruan Ola, në 2004, ku u mbytën në ujërat e detit të Vlorës 28 persona, të cilët tentuan të kalonin me gomone në brigjet e Italisë.