Kristiano Ronaldo më në fund ia ka dalë që të largohet nga Portugalia, pas problemeve të shumta që e penguan gjatë ditës së fundit udhëtimin e tij me avionin privat nga Madeira. Futbollisti portugez pritet që të udhëtojë drejt Torinos për t’iu bashkuar Juventusit, në tentativën për të qenë pjesë e skuadrës bardhezi në rast se vendoset rifillimi i sezonit futbollistik në këtë muaj.
Avioni i Ronaldos ishte bllokuar në Funçal për shkak të problemeve teknike dhe disa procedurave burokratike sa u përkiste lejeve të udhëtimit. Më në fund, në darkë portugezi ia ka dalë që të largohet nga vendlindja e tij, por jo për të shkuar në Itali. Etapa e tij e radhës ka qenë një ndalesë në Madrid. Ai ka udhëtuar bashkë me familjen e tij dhe personelin e shërbimit që e ndihmon me fëmijët dhe që Ronaldo merr me vete kudo që shkon.
Tani pritet të mësohet se kur do të mbërrijë në Itali, ku do të kryejë mënjëherë karantinën e detyrueshme prej 14 ditësh para se të cilësohet “i sigurt” sipas procedurave nga shteti italian për të gjithë ata që vijnë nga shtete të tjera.
