Në fjalën e tij që po mban në Kongresin e Partisë Socialiste për Reformën në Drejtësi dhe vështirësitë e saj, Kryeministri Rama nuk la pa përmendur edhe rastin e dënimit me 3 vjet burg të këngëtarit, Bojken Lako.
Teksa lëshoi kritika për gjykatat dhe gjyqtarët e vendit, Rama theksoi se ndërkohë që në bregdet zvarriten vendimet për pallate pa leje, gjykatat dënojnë një artist se hapi disa dritare. Sipas kryeministrit, këto raste s’janë të vetmet.
“Nuk është faji dhe përgjegjësia jonë që askush përpara nesh nuk e nisi këtë rrugë. Të gjithë u stepën nga Reforma në Drejtësi që do të bënte pikërisht këtë që po bën, goditjen në radhët e sipërme të pushtetit politik. Sikur ta kishin nisur të tjerët më parë këtë reformë, sot Shqipëria do të ishte një vend tjetër, por janë humbur 25 vjet. Çerek shekulli. Koha që humbet bashkë me mundësitë që sjell është më e gjatë se sa koha që humbet kur mundësitë janë aty. Shqipërisë iu treten shumë shanse dhe mundësi të kohës. Koha i solli, Shqipëria s’i shfrytëzoi.
Pikërisht se përse Reforma në Drejtësi, ka nisur me vonesë kaq të gjatë do të duhet të durojmë shumë fare teksa luftojmë për drejtësi. Duhet të shtrëngojmë dhembët e të ecim përpara. Nuk duhet të lëndohemi edhe kur njerëzit tanë thonë ‘ik ore se të gjithë jeni bashkë. Do e durosh, pavarësisht se sa e tmerrshme është të mendosh të jesh në një çanak me Sali Berishën dhe Ilir Metën. Dënohet me heqje lirie një këngëtar se hap 1 dritare, apo zgjeron një objekt, ku ndërkohë strukturat shtetërore, policia, INUK-u, presin prej muajsh e muajsh, që gjykata dhe gjykatësit të mos marrin në mbrojtje një pallat të tërë pa leje m’u në breg të detit”, u shpreh Rama.