Të mitur që përfshihen në sherre banale, që shkaktojnë viktima është një problem që duhet të marrë vëmendje shumë të madhe. Që nga janari deri tanë, janë numëruar 10 vdekje nga përleshjet me thikë në mesin e minorenëve. Sociologu Gëzim Tushi, thotë se shkollat tona janë të prapambetura “në mekanizmin pedagogjik të sjelljes me adoleshentët”.
“Shkolla është e prapambetur në mekanizmin pedagogjik të sjelljes me adoleshentët. Mësuesit duhet të ndryshojnë parimet e komunikimit ndaj kësaj moshe delikate. Adoleshentët nuk janë fajtorë, janë viktima. Së pari, janë viktima të jetës së tyre dhe unë them që ne duhet t’i mbrojmë ata nga vetja. Shkolla duhet të skalitë disa tipare të humanizmit. Ku do t’i mësojnë adoleshentët parimet e komunikimit human dhe moral, përveçse në shkollë? Fëmijët po i mësojmë me parimet e suksesit me çdo kusht”, thekson sociologu.
Nga ana tjetër, ai thekson edhe se prindërit duhet të ndryshojnë sjelljen e tyre ndaj fëmijëve adoleshentë. “Prindërit duhet të ndryshojnë. Duhen parime të reja të prindërimit dhe mënyra të reja sjelljeje me adoleshentët e sotëm. Një pjesë e madhe e konflikteve që krijohen në familje dhe kjo urrejtja mes adoleshentëve dhe prindërve vjen sepse instrumentat edukative që vazhdojnë të përdoren në familjen shqiptare janë të vjetra dhe në vend që të sjellin komunikim, sjellin konflikte agresive”, u shpreh Tushi.
Një tjetër pikë e rëndësishme, sipas Tushës ëshë edhe se prindërit duhet të kuptojnë që koha e sotme nuk e pranon mënyrën autoritariste. “Nëse prindërit vazhdojnë të mendojnë se mund ta mposhtin adoleshentin, e kanë gabim. Vetëm komunikimi është rruga e vetme për t’u marrë vesh me ta”, shtoi sociologu.