Në Tiranë, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale sapo mbylli një studim mbi trendet migratore të popullatës shqiptare. Ekspertët zbuluan se ka një rritje të emigrimit potencial dhe se po emigron pjesa më e arsimuar e banorëve. Sipas një vëzhgimi tjetër, studentët shqiptarë, që po studiojnë jashtë vendit, nuk duan të kthehen më në Shqipëri. Për detajet e këtyre studimeve, korrespondenti ynë në Tiranë, Ilirian Agolli, bisedoi me studiuesin Ilir Gëdeshi, Drejtues i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale.
Zëri i Amerikës: Zoti Gëdeshi, kohët e fundit është në rritje shqetësimi se një numër përherë e më i madh i popullatës shqiptare po emigron jashtë Shqipërisë, apo po shpreh përherë e më tepër dëshirën për t’u larguar nga Shqipëria, po përpiqet të largohet nga Shqipëria në vende të Europës apo edhe më larg. Cilat janë gjetjet tuaja më të fundit në studimin tuaj më të fundit mbi trendet migratore të popullatës shqiptare?
Ilir Gëdeshi: Vitin e kaluar ne bëmë një studim lidhur me emigrimin potencial, i cili do të botohet këto ditë nga Fondacioni Fridrih Ebert. Studimi ka të bëjë me tiparet e reja të emigrimit potencial nga Shqipëria. Analizuam grup-moshën 18-40 vjeç, duke parë dëshirën për largim nga Shqipëria, duke parë mundësitë e tyre, jo vetëm të planifikojnë, por edhe nëse përgatiten për të emigruar dhe për të vënë në dukje kush janë trendet e reja në migrimin potencial. Këtë anketë që bëmë me emigrantët potencialë shqiptarë ne e krahasuam me një anketë tjetër që e kishim bërë në vitin 2007, të financuar gjatë kësaj periudhe nga një organizatë ndërkombëtare. Duke krahasuar tiparet dhe trendet e të dy anketave ne gjetëm trendet e reja që mbizotërojnë në 2018.
Kjo anketë tregon që migrimi do të vazhdojë dhe ka një rigjallërim të migrimit shqiptar, i cili aktualisht është rreth 1.5 milionë shqiptarë, që jetojnë jashtë, dhe duke e vendosur Shqipërinë në radhët e para të shteteve të të gjithë botës. Emigrimi real nga Shqipëria është nga më të lartët aktualisht në botë. Por tendencat e emigrimit potencial tregojnë që ky emigrim do të vazhdojë edhe në perspektivën afatmesme.
Pse keni zgjedhur këtë grup-moshë 18-40 vjeç?
Kemi zgjedhur këtë grup-moshë, 18-40 vjeç, sepse kjo është grup-mosha më aktive. Janë të rinj që dëshirojnë të punojnë, dëshirojnë të emigrojnë, që e shikojnë jetën e tyre jashtë, ose mund të mendojnë më vonë për një rikthim të mundshëm në Shqipëri, në rast se do të shikojnë që kushtet ekonomike dhe sociale janë përmirësuar për t’u rikthyer në vendlindje. Duke qenë se kjo është mosha më aktive, ne kemi studiuar këtë grup-moshë. Në rast se ne do të vazhdojmë të avancojmë në mosha më të thyera, do të shohim që tendenca për emigrim potencial do të pakësohet.
Cilat janë trendet e reja të emigracionit të shqiptarëve? Çfarë ka të re emigrimi i sotëm i shqiptarëve nga ai i para 10 vjetëve për shembull?
Kanë ndryshuar thuajse të gjitha tendencat. Së pari, nëse fillimisht dëshironin të emigronin në vendet fqinje, Itali dhe Greqi, aktualisht vendi i parë i emgrimit potencial është Gjermania dhe vende përreth saj në Europën perëndimore. Vendi i dytë janë SHBA dhe pas tyre, vijnë Italia dhe Greqia. Këto dy të fundit vazhdojnë të mbizotërojnë për shkak të rrjeteve sociale që kanë emigrantët potencialë shqiptarë në këto vende. Por dalja e Gjermanisë si vend i parë tregon që orientimi i rinisë shqiptare sot e tutje do të jetë Gjermania. Kjo lidhet edhe me disa faktorë të tjerë: duke qenë që dëshirojnë të emigrojnë në Gjermani, dëshirojnë të emigrojnë më të kualifikuarit më të arsimuarit. Për shembull, tendenca e vitit 2007 ishte të emigronin personat e pakualifikuar dhe persona të paarsimuar. Aktualisht dëshirojnë më shumë të emigrojnë persona që kanë arsimin e mesëm dhe profesional dhe sidomos ata që kanë arsim universitar. Pra, ikën pjesa më e kualifikuar dhe më e arsimuar e vendit.
Sa i takon moshës, më parë ka qenë mosha 20-22 vjeçare që dëshironin të migronin, sot dëshirojnë të migrojnë ata të moshës 27-30 vjeç, ku arrin kulmin dëshira për migrim.
Vihen re edhe tendenca të reja: për shembull, nuk dëshirojnë të migrojnë të papunët, si ka qenë në 2007, por dëshirojnë ata që janë studentë aktualisht. Së dyti, dëshirojnë të emigrojnë ata që kanë një punë dhe pastaj vijnë të papunët dhe grupet e tjera shoqërore. Kanë ndryshuar shumë nga tendencat e migrimit potencial.
Si reagojnë studentët që largohen për studime jashtë Shqipërisë?
Ne po bëjmë një studim të ri aktualisht që ka të bëjë me studentët shqiptaë që studiojnë jashtë. Shqipëria ka rreth 25 mijë studentë që studiojnë jashtë. Jo fëmijë emigrantësh, por që kanë ikur nga Shqipëria. Kjo është vendi i parë në vendet e Ballkanit perëndimor. Për shembull, Serbia me rreth 8 milionë banorë, që ka popullsinë më të madhe në rajon, me të ardhura për frymë më të larta se Shqipëria, ka rreth 15 mijë studentë jashtë. Ajo që është më negative në këtë rast nuk është pse shqiptarët shkojnë për të studiuar, por më negativja është se 94 për qind e tyre, sipas një ankete që ne bëmë me studentët shqiptarë, nuk dëshirojnë të kthehen në afat të shkurtër ose të mesme në Shqipëri. Kjo do të thotë që nga Shqipëria dalin çdo vit dhjetëra milionë euro për të financuar studimin e të rinjve shqiptarë, dhe kjo nuk kthehet në atdhe me kapitalin human nesër dhe do të thotë se ka një varfërim të vendit nga pikëpamja humane dhe financiare.
Cila është diferenca midis dëshirës për të emigruar dhe emigrimit faktik? Se autoritetet thonë se shifrat reale nuk janë të larta, pra, ka një polemikë edhe për shifrat.
Mund të ketë një polemikë. Mund të ketë edhe dallime midis migrimit real dhe atij potencial, sepse të gjithë ata që shprehin një dëshirë apo një qëllim për të migruar nuk do të thotë që do të migrojnë. Zakonisht shifrat botërore tregojnë që më pak se 10 për qind e atyre që shprehin dëshirën për migrim mund të migrojnë. Por migrimi potencial është një tregues i perceptimit që ka popullata lidhur me kushtet reale në Shqipëri dhe si e shikon perspektivën e saj. Për shembull, nëse do të shikojmë shkaqet e këtij migrimi potencial, duke e krahasuar me anketën e vitit 2007, vëmë re se faktorët ekonomikë janë mbizotërues, sepse janë më të dobët krahasuar me 10 vjet më parë. Krahas ekonomisë, dalin disa faktorë të rinj si dëshira për t’u arsimuar dhe sidomos dëshira për të arsimuar fëmijët në vendet e Europës perëndimore. Së dyti janë një pjesë rreth 10 për qind që shprehen se nuk shohin perspektivë në Shqipëri, e kjo është shqetësuese. Në rast se migrimi potencial rritet, do të thotë se edhe flukset e migracionit do të rriten në të ardhmen dhe kjo kërkon politika të reja në mënyrë që të frenojë këto flukse të migrimit si dhe të maksimizojë anët pozitive të migrimit dhe të minimizojë anët negative të tij.
Policia gjermane i ka nxjerrë shqiptarët të dytët në listat e veta të migrimit dhe azilit pas sirianëve disa kohë më parë. A ka vërtet krahasim mes tyre?
Shkaqet që nxitin për migrim shqiptarët dhe sirianët sigurisht që janë të ndryshme. Te sirianët shkaku janë luftërat dhe konfliktet, ndërsa te shqiptarët janë faktorët ekonomiko-socialë. Shqiptarët kanë dalë të dytët në një periudhë të caktuar. Në 2015, migracioni nga Shqipëria në kuadrin e azil-kërkimit arriti shifra alarmante; ishin rreth 65 mijë shqiptarë që migruan në atë periudhë, dhe një pjesë e madhe e tyre ishin në drejtim të Gjermanisë. Por kjo lidhet me perceptimin që kanë njerëzit për kushtet ekonomike dhe sociale. Politikat tona duhet të nxitin prodhimin, hapjen e vendeve të reja të punës, një rritje ekonomike që të përkthehet në rritje të mirëqenies së qytetarëve, por nevojiten edhe shërbimet më të mira, me forcimin e sistemit arsimor, sistemit shëndetësor, me sigurinë në vend, dhe me faktorë të tjerë. Nuk është thjesht ekonomia, por është edhe një varg faktorësh të tjerë që lidhen me ekonominë.
Por qeveria thotë se nuk kemi mungesë të mjekëve, se mjekë kemi mjaftueshëm, se studentët shkojnë për një studim më të mirë jashtë, se emigrantët shkojnë për një jetë më të mirë jashtë, se kjo është normale se kështu ka ndodhur gjithmonë. A është shqetësues ky nënvlerësim i situatës?
Është shqetësues. Dhe nuk duhet krahasuar me vende të tjera ky fenomen që ndodh në gjithë botën. Migrimi është një fenomen mbarëbotëror, por nuk mund të krahasohet me atë, që po ndodh në Shqipëri. Është shumë më i lartë. Dëgjova se po e krahasojnë migrimin e tanishëm që ndodh nga Shqipëria me atë që ndodh nga Kroacia, dhe një krahasim i tillë nuk ka bazë për një arsye shumë të thjeshtë: Kroacia është një vend i Bashkimit Europian, ku lëvizja është e lirë nga një vend në tjetrin dhe kjo nuk mund të krahasohet me migrimin që ndodh nga Shqipëria, që nuk është një vend i Bashkimit Europian. Në rast se këtu do të hapeshin dyert dhe Shqipëria do të ishte një vend i Bashkimt Europian, mund të iknin jo 50-60 mijë vetë, por mund të iknin edhe 200 mijë vetë. Ky është një shqetësim që duhet marrë nga politikanët tanë. Duhen kuptuar përmasat e këtij migrimi, cilësia e këtyre flukseve. Krahas kësaj, ky migrim shoqërohet edhe me plagë, si ikja e fëmijëve. Për shembull, vetëm në Itali ka mbi 1 mijë e 500 fëmijë të pashoqëruar, që emigrojnë për shkak të kushteve ekonomike sociale. Duhen analizuar këto faktorë për t’i kuptuar më mirë dhe të shikohet çfarë mund të bëhet. Migrimi ka qenë një konstante në historinë e Shqipërisë në të gjitha periudhat historike, por pas 1990 ky migrim ka arritur përmasa shumë të mëdha dhe kjo është shqetësuese për të ardhmen e vendit.
A shihni ju të kenë nisur politika të reja e ambicioze për ta frenuar këtë dukuri? Sa i dëgjojnë autoritetet studimet tuaja?
Ka një sensibilizim dhe për herë të parë ministri i diasporës është interesuar për studimet e organizatës tonë dhe kjo është diçka e re. Gjatë 25 viteve të fundit që ne shkruajmë për emigrimin, kemi patur interesim nga organizatat ndërkombëtare, por asnjë institucion shtetëror nuk ka qenë i interesuar. Sot këto dy muajt e fundit ka patur një interesim nga ministri i diasporës lidhur me faktet, rezultatet dhe rekomandimet që ne kemi dhënë në çështjet e emigrimit. Por kjo nuk duhet parë si çështje e një ministrie, ose si çështje individuale. Kjo duhet shtrirë shumë gjerë, sepse nevojiten një seri politikash dhe nuk lidhen vetëm me ministrinë e diasporës, por lidhen me të gjitha ministritë dhe gjithë fushat. Kjo kërkon një rishikim të politikave lidhur me zhvillimin ekonomik e social të vendit, sepse ky migrim kaq i lartë potencial është një tregues, që duhet mbajtur parasysh. Përndryshe, ne do t’i kthehemi këtij problemi, por do të jetë shumë vonë, atëherë kur një masë e madhe njerëzish do të jenë larguar dhe fatkeqësisht më të arsimuarit dhe më të kualifikuarit, dhe kjo të ketë pasoja ekonomike e sociale për vendin.
Kush do t’i bëjë gjithë këto ndryshime, kur këta njerëz të aftë që mund t’i bëjnë po largohen?
Këto ndryshime sigurisht që do t’i bëjë vet populli shqiptar dhe klasa e tij politike, që me këtë lëvizjen e fundit studentore, ka marrë një shkundje, që duhet të bëjë politika që i afrohen qytetarit, politika që kanë parasysh qytetarin, dhe politika që duhet të synojnë jo vetëm zhvillimin ekonomik në vetvete, por ta vërë këtë zhvillim në dobi të qytetarëve.