Nga Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Ideja e librave familjarë, që më së shumti afron me monografitë, për shkakun e këtyre shkrimeve për personazhe të caktuar është e hershme. Letërsia artistike në thelbin e saj i ndërton kumtimet dhe mesazhet përmes personazheve, të cilët në indin e vet e kanë pikënisjen nga njerëz realë sado artistike të jetë vepra. Elementët të kësaj “zeje” i hasim që herët, ndoshta më së shumti në letërsinë e realizmit, e cila kishte një bazë të fortë në realitetin e kohës, në mjedise, njerëz dhe marrëdhëniet që krijoheshin.
Për shumë arsye dhe shkaqe të njohura, kjo lloj kulture dhe nevoje për të sjellë në vëmendjen njerëzore modele të caktuara njerëzish apo personazhesh të frymës familjare e shoqërore pas viteve ’90 e shpjegojnë mirë me prurjet e tyre. Kjo mungesë kulture në praktikën shqiptare, përkundër një tradite të njohura në pjesën më të madhe të familjeve në shoqëritë e lira, sot është kuptuar mirë, veçmas në kulturën familjare, në të cilën është shfaqur kulti dhe kultura e memories familjare.
Lidhur me këtë kulturë të re, të mundur për t’u ushtruar, mendoj se shoqërisë i bëhet një shërbim i nevojshëm, por dhe një shërbim i rëndësishëm në raportet sociale, kulturore dhe ato familjare. Është një realitet, që në pamje të parë duket diçka shumë e ngushtë, personale dhe familjare, por me kalimin e kohës, do të vërtetohet se sa vlera shoqërore përcjellin librat familjarë, që merren me historitë, njerëzit dhe kulturën e një familje të caktuar, që në një formë të caktuar janë dhe treguesit e shoqërisë së kohës, pasi familjet në një masë të madhe reflektojnë kohën me të gjithë treguesit e tyre.

Tek ne shqiptarët në një fluks kohe 30-vjeçare, po vijon një praktikë e dhimbshme e migrimit nga Shqipëria në vendet e tjera të Perëndimit, kryesisht nga brezi i ri. Duke ditur se brezi i ri, veçmas brezi i të rinjve që shkojnë të shkollohen në vendet e Perëndimit, duke i ingranuar dhe angazhuar në kulturat perëndimore për shkakun e rrethanave, pasi shkollimi përbën një domen të qëndrueshëm dhe reflektues në jetën e përditshme gjatë gjithë jetës, ata rrezikojnë memorien kombëtare të origjinës, kulturën e vendit të tyre, ku natyrshëm fillon harresa e madhe e vetë vendit të tyre. Por kjo tendencë e dëmton dhe e çon sigurisht drejt harresës së pakthyeshme pas të historisë, kulturës, zakoneve, traditës, kulturës popullore dhe fondamentit të lashtë të shqiptarëve, me të cilën ata identifikohen si të tillë.
Librat etnokulturorë, monografitë, të cilat përveçse sjellin nga kohët e mëparshme ngjarje, personazhe, kulturë, traditën e mirë dhe dëshmi të rëndësishme etnologjike, shërbejnë dhe si shenja identiteti që shfaqen herë pas here në jetë kudo që gjendesh. Në jetën e njeriut ka gjithmonë momente, përkujdesje dhe arsye psikologjike për t’u kthyer në burimin e parë nga vjen.
Libri monografik- “Teki dhe Ylvije Shehaj” është shkruar prej kujdesit të familjarëve për një familje dhe dy bashkëshortë nga Vranishti i Vlorës. Familja Shehaj në kujtesën e hershme dhe të vonë përcillet nga njerëzit e Vranishtit, por dhe fshatrave përreth si njëra nga familjet e mira, që Vranishti dhe Vlora nuk i ka të pakta. Familja Shehaj ka një vend nderi në “panteonin” dhe kujdesin që vranishtiotët kanë për këto familje, të cilat ushqejnë vlera të rëndësishme historike, kulturore e shoqërore, për brezat e rinj.

Duke pasur një rrugëtim jo të lehtë, pasi ajo në Vranisht nxjerr krye që në fundin e viteve 1700, për shkakun e një formimi të mirë që e kanë përcjellë kohë pas kohe njerëzit e saj, familja Shehaj nuk e ka pasur të vështirë të harmonizojë burrërinë, punën, krenarinë, moralin, atdhetarinë, fuqinë për të ndërtuar jetën dhe zhvilluar traditën si vranishtasit, i cili spikat një identitet të hershëm të Labërisë.
Të jetosh në Vranisht në një hapësirë dyshekullore, periudhat historike të viteve 1800 dhe ata të viteve 1900, mendoj se është një histori e tërë. Gjatë këtyre kohëve, Labëria, duke trashëguar histori të përplasje të hershme me pushtues, ka lënë gjurmët e saj, historitë e saj, njerëzit e saj për shkakun e ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, që nga refuzimi i perandorisë otomane, sundimin dhe zotërimin e Pashallëkut të Janinës, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Shpalljen e Pavarësisë, Luftën e Parë Botërore, Luftën e Vlorës, Luftën e Dytë Botërore dhe më pas, ku Vranishti ka qenë mjaft i lidhur, me ngjarje që kanë shërbyer dhe si pjesë e historikut të tij.
Kapërcyellin e këtyre dy shekujve familja Shehaj ka qenë e ekspozuar dhe e ka jetuar historinë si të gjithë vranishtasit e tjerë. Veçmas Lufta e Vlorës e vitit 1920, përbën një histori të rëndësishme në kuptimin e plotë të fjalës, jo vetëm për Vlorën dhe Shqipërinë, por për kujtesën e çdo pushtuesi në zgjatimin e Luftës së parë Botërore. Vlora, dhe vlonjatët, vranishtasit si gati të gjithë rrethinat e Vlorës, e kthyen këtë ngjarje në një shembull të madh sakrifice për lirinë, e cila u shndërrua në një fuqi të pashembullt përballë një fuqie të madhe ushtarake të kohës siç ishte Italia. Familja Shehaj ka shenjën e saj bashkë me Vranishtin në këtë luftë.

Shënimet monografike të familjes Shehaj, të cilat janë të një natyre përkushtimi, në të cilat bie në sy më së shumti një lidhje e fortë e familjarëve të tyre me Teki dhe Ylvije Shehajn, përbëjnë një përkujdesje të rëndësishme, përtej dedikimit që fëmijët e tyre u kanë bërë atyre në këto kohë. Është një lidhje e fortë e familjes, por më së shumti vetë libri përbën një lloje “homazhi” të nevojshëm mbi kultin e familjes. Dhe nëse vështrimi historik mbi familjen Shehaj ka në zbulesën e e tij një numër të pakët njerëzish në kufijtë e brezave që mbartin brenda vetes rreth dy shekuj, libri ka një valoritet të mirë në kohë dhe në raportet që një familje krijon me kohën, ngjarjet, njerëzit dhe në sfondin e zhvillimeve të shoqërisë. Në çdo rast, një familje e cila i qëndron kohës përmes kodeve të historisë dhe tipareve të saja, lidhet shumë me shoqërinë e kohës, e cila ose e ngre atë, ose e ulë.
Libri “Teki dhe Ylvije Shehaj” është shkruar thjeshtë, por me një ndjeshmëri njerëzore të thellë. Në të bie në sy një lidhje e fortë familjare, një prani e vazhdueshme e një dashurie njerëzore për jetën, për punën, për njëri-tjetrin dhe sakrificën prindërore për të krijuar dhe mbajtur një familje të mirë, pasi kjo i bën mirë çdo pjesëtari të familjes, por dhe fshatit dhe Labërisë. Përmes kësaj thjeshtësie në rrëfimet dhe kujtesën e të afërmve të Tekiut dhe Ylvijes libri prek dhe valorizon një rreth të konsiderueshëm njerëzish, familjesh, fisesh, ngjarjesh dhe qasjesh të nevojshme, për të cilat sot shoqëria ka nevojë t’i reflektojë në të gjithë mjediset që e rrethojnë dhe janë të pranishëm të rinjtë e këtyre kohërave.
Siç është shënuar dhe në radhët e mësipërme, Familja Shehaj në Vranisht ka gjetur një mjedis të formuar traditash dhe familjesh të njohura, të cilat kanë lënë dhe vazhdojnë të kenë zërin e tyre në të gjithë trevën e Labërisë. Labëria është njëra nga krahinat shqiptare, në të cilën shquan e Drejta Zakonore, e cila përbën një zhvillim të hershëm na raport me vendimmarrjet e kuvendeve të burrave për çështjet madhore të vendit. Dhe kjo praktikë lidhet shumë me ngjarjet madhore të krahinës dhe të Shqipërisë, pasi në këto anë, veçmas nga deti ushtritë dhe pushtuesit e huaj kanë vërshuar që në kohët e lashta, ndërsa në raport me këta pushtues, labërit kanë krijuar karakterin e tyre të pandryshueshëm si luftëtarë brenda dhe jashtë Labërisë.
Historia e Vranishtit nuk mund të shkëputet kurrë nga historitë e familjeve të njohura si ato të Dukajve, Xhebrajve, Çinajve, Hallkokondajve, Çobajve, Gjikondajve, Lamajve, Habilajve, Alikajve, Kananajve, Xhamajve, Ribajve, Gjolekajve, Bashojve, Kongjonajve, Gurajve, Shkurtajve dhe familjeve të tjera, të cilat kanë qenë të lidhura fort me ngjarjet e Labërisë, Vlorës dhe të vendit. Familja e Shehajve ka ardhur dhe ka mbartur vlerat e veta më të mira në këtë mjedis të njohur burrërie dhe mikpritjeje, si një nga cilësitë më të rëndësishme të një familjeje krenare, të dinjitetshme dhe me tradita. Ky kontekst i rëndësishëm social, ka qenë kaq i rëndësishëm për Familjen Shehaj për t’i mishëruar vetitë që ajo ka trashëguar nga të parët para se të zbriste në Horë, ndërsa në Vranisht ka fituar tipare të tjera, duke qenë dhe njëra nga familjet e dëgjuara të këtij fshati.

Një reflektim të rëndësishëm, që vjen përmes librit “Teki dhe Ylvije Shehaj”, lidhet me kodin e familjes. Në një mënyrë të caktuar kodi i familjes e ndjek njeriun nga pas gjatë gjithë jetës. Në traditën shqiptare kodi i familjes ka qenë një nga fondamentet më të rëndësishme, me çfarë ka qenë i lidhur jo vetëm imazhi i saj, por dhe lidhjet që ata kanë krijuar me arsyen për të gjetur njëra-tjetrën. Populli thotë, se “gjen dera derën”. Teki Shehaj dhe Ylvija, dy protagonistët e librit kanë plotësuar njëri-tjetrin jo vetëm në jetën e tyre të përditshme, që kur ata kanë krijuar familjen e tyre, por dhe në miqësinë që familja Shehaj (familja e Tekiut), ka krijuar me familjen Tartari (familja e Ylvijes), dy njerëz që përveçse kanë gjetur njëri-tjetrin, vinin nga tabanë të forta dhe të mira familjare.
Tartarët janë një nga familjet e njohura të Vranishtit, e cila kishte krijuar kontakte të hershme me vendet e tjera të zhvilluara me anë të shkollimit të fëmijëve. Po ashtu ata kishin punuar në qytetet e Jugut, duke përbërë një shtresë të emancipuar dhe të Labërisë, një pjesë e mirë e të cilëve kishin lidhur fatin e tyre me çështjen kombëtare shqiptare. Duke u përfshirë në këto veprimtari të kohës, veçmas atë të Lidhjes së Prizrenit, siç ishte Murat Tartari, i njohur për ndikimin e tij, takimet me krerët e njohur të kësaj lëvizjeje, veçmas të Abdyl Frashërit apo dhe të Mustafa pashë Vlorës, kanë lënë mbresa të thella në edukimin e fëmijëve të kësaj dere të madhe, prej të cilës është dhe Ylvija. Kjo trashëgimi në Vranisht dhe në Labëri çmohet dhe vlerësohet shumë brez pas brezi. Murat Tartari ishte miku i Ismail Qemalit, mori pjesë në kryengritjet antiturke 1911-1912, në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare 1912, në Luftën e Vlorës 1920, por edhe në Kongresin Zakonor të Labërisë, nëntor 1924, në Kuç, në pajtimin e gjaqeve dhe kuvendimet e tjera.
Ndërsa në tabanin familjar të Teki Shehaj shquan një emër i njohur si Barjam Shehaj, një burrë me karakter të fortë, këmbëngulës, punëtorë, i aftë dhe i zoti për ta ndërtuar jetën ku ta hidhte “fati”. Barjami ishte një burrë i ditur dhe i shkolluar mirë për kohën, një ushtarak i kohës, duke shërbyer në Filipopol, në Danub dhe në Selanik, por pjesën më të madhe të jetës e kaloi duke punuar si një mjeshtër i ndërtimit të shtëpive. Pati një ndikim ta madh në të gjithë Labërinë, dhe në Gjirokastër. Provoi emigrimin e rëndë jashtë vendit, në Turqi e Francë, të cilin ai i quajti shkollë më vete. Kudo i shkeli këmba dhe u takua me njerëzit la konsiderata të larta njerëzore dhe humane. Qe mjaft i lidhur me ngjarjet historike dhe politike të kohës. Duke qenë një nga pjesëmarrësit më të moshuar në Luftën e Vlorës (65 vjeçar), Barjam Shehaj përbënte modelin e shkëlqyer burrëror, trimëror dhe të ndershmërisë për karakteristikat që familja e tij gëzonte dhe gëzon në Vranisht dhe në Vlorë.
Duke njohur këtë hapësirë të madhe të marrëdhënies që familja Shehaj ka pasur dhe vazhdon të ketë, përmes të cilave përçohen vlerat e njohura dhe të rëndësishme të krahinës, të cilat nga brezi në brez kanë ruajtur thelbin e tyre të rëndësishëm, atë të derës së mirë, të konakut të burrave ku fjala është fjalë dhe betim (be), ku shtëpia është shtëpi dhe pret e përcjell, ku miqësia është miqësi dhe ajo ruhet, por dhe mjaft tipare të njohura dhe të respektuara në Vranishtin tradicional dhe të sotëm, Shehajt përbëjnë një vlerë të çmuar, një shenjë të fortë në komunikimin e kohërave. Kjo “simbiozë” e mrekullueshme në familjen që krijoi Teki Shehaj bashkë me bashkëshorten, përveçse ushqeu traditën labërishte, ajo iu la pas fëmijëve dhe rrethit të tyre familjar një lloje krenarie të ligjshme, pasi krenarinë e traditës familjare e lënë të parët në një familje.
Natyrisht, libri “Teki dhe Ylvije Shehaj”, duke mbartur në gjithë shtrirjen e tij nëpër kohët që familja Shehaj ka kaluar, bashkëshortët Teki dhe Ylvije marrin vëmendjen, puna dhe trashëgimia e të cilëve përbëjnë dhe mesazhet që përcjell libri. Pavarësisht trashëgimisë familjare që mbartin në vetvete Teki Shehaj dhe Ylvije Tartari, ata arritën që në jetën e tyre të krijojnë modelin e bashkëshortëve, të babait dhe të nënës, të njeriut të kohës dhe të marrëdhënieve me njerëzit, duke qenë shembulli dhe fytyra e mrekullueshme e një familje në harmoni, në punë dhe në mjedisin shoqëror.
Teki Shehaj u rrit në një familje ku çmohej puna dhe mençuria, e cila trashëgonte virtyte të krijuara gjatë kohërave të vështira. Virtytet që krijohen në kohët e vështira përbëjnë tabanin e fortë të një familjeje dhe një populli, të cilat trashëgohen kohë pas kohe. Kështu, besa është një virtyt që krijohet në kohë luftërash, prandaj ajo çmohet, bujaria dhe ndershmëria krijohet në kohë varfërie dhe në rrethana shoqërore, prandaj ato mbeten vlera dhe të familjes dhe shqiptarit në përgjithësi. Teki Shehaj trashëgonte fjalëmbajtjen, të cilën e kishte të mëkuar nga të parët e tij në kuvendet e burrave, ku flitej për fate kolektive dhe kombëtare. Duke trashëguar një edukatë që e lidhte me fatet e atdheut dhe motivin e lirisë, ai mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacional çlirimtare dhe në beteja të ndryshme që u zhvilluan për çlirimin e atdheut, në Gjormë e Drashovicë, 1943, Mesaplik 1944.
Teki Shehaj ishte një nga njerëzit që kishte një komunikim të gjerë me njerëzit ku jetonte dhe punonte, duke përçuar vlerat dhe mbështetjen e tyre për shkakun e vetive burrërore që ai përcillte. Në shoqërinë e tij shquanin njerëz me reputacion publik dhe me vlera të mëdha në kontributet shoqërore që ata kishin dhënë si: Sabri Bora dhe Hodo Gaçe, Shaban Seferi, Hysen Çino, Çobo Osmëni, Maman Saliu, Jonus Mersini, me të cilët kishin qenë bashkë në luftë. Nëna e tij, Kaleme Gaçe, kishte qenë gjithmonë një burim force dhe vlerash, pasi ajo përcillte një kumt të jashtëzakonshëm për ngjarjet e luftës, sa herë që ajo vajtonte, ku bashkë me dhimbjen gurronte nga shpirti i saj dhe sakrifica e lirisë përmes luftës. Duke e çmuar shumë babain e tij, Teki Shehaj ishte një njeri i dashuruar pas dijes dhe shkollës.
Teki Shehaj mbeti modeli i njeriut të punës gjatë viteve të mëvonshme pas mbarimit të luftës. Duke zgjedhur profesionin e shoferit, një profesion të nderuar të kohës, dhe për të qenë afër dhe në kontakt të vazhdueshëm me familjen dhe fëmijët, ai bashkë me bashkëshorten e tij përbënin një çift ideal bashkëshortësh në krijimin një familje të harmonishme dhe rritjen e fëmijëve të tyre. Në kujtesën dhe ndjesitë e thella të të birit të tij, Mylazimit, vlerësimet e tij për babanë Teki Shehaj marrin një vlerë të çmuar, kur ai thotë: ”Babai në sytë e mendjes time mbetet një burrë i bukur, shumë i zgjuar dhe punëtor, fjalëpakë, shumë ambicioz, shumë i dashur dhe i përpjekur: këdo që i dilte përpara, ai i jepte dorën dhe e ndihmonte.” Teki Shehaj mbeti njeriu i punës dhe bashkëpunuesi i mrekullueshëm kudo ai punoi, në punë të lehta dhe të vështira, afër apo larg Vranishtit, duke u bërë një nga shoferët dhe mekanikët më të çmuar të Vlorës.
Por asgjë nuk do të ishte kaq e mirë dhe e çmuar në familjen e Teki Shehaj pa Ylvijen. Ajo trashëgonte nga fëmijëria e saj vlera të jashtëzakonshme të familjes së njohur Tartari. Familja Tartari ishte një “oaz” i çmuar i mendjes, kulturës, dijes, lidhjes së fortë me atdheun dhe me vendin, me njerëzit që e rrethonin dhe ata që komunikonin çdo ditë në ditë të mira dhe në ditë të vështira. Historia e familjes Tartari është e mbushur me emra të ndritur të cilat janë trashëguar brez pas brezi, dhe Ylvija i përkiste kësaj edukate, ku fjalët peshonin dhe dera e shtëpisë qëndronte hapur për këdo që trokiste në të. Qerim Tartari dhe Murat Tartari ishin dhe mbeten gurë të çmuar në themelin e familjes, por dhe të Vranishtit.
Njerëz të ditur, të shkolluar, atdhetarë dhe kontribuues të çështjes kombëtare, kishin ndikuar shumë në mjedisin familjar ku u lind dhe u rrit Ylvija. Ylvijen për vlerat që përcillte thirrej Nënëmadhja Ylvije. E papërtuar dhe e mençur, e matur dhe e kudogjendur ajo plotësonte pjesën më të mirë dhe të rëndësishme të Teki Shehajt gjatë jetës bashkëshortore. Për Nënëmadhen Ylvije, i biri i saj thotë: ”Nënë, moj nënë, e mira nënë! Në ashpërsinë e saj më unike se kushdo, shprehte dashurinë, përkujdesjen, mallin , gjithçka që i përket një nëne të mrekullueshme…”, vëllai i saj, poeti popullor, Muhamet Tartari, “Mjeshtër i Madh”, gjeti përherë mbështetje e ngrohtësi te Teki Shehaj dhe Ylvija, për të kryer gjimnazin dhe shkollën e lartë. Po kështu fëmijët e tyre: Bejkushi, Niko, Napoloni, Mylazimi, Xhevahiri, u bënë intelektualë e profesionistë të zotë.
Ndërsa libri “Teki dhe Ylvije Shehaj”, në thelbin e vet është një dashuri sublime që fëmijët kanë treguar për prindërit e tyre, duke zgjatur dhe përjetësuar kujtesën për prindërit, në refleksionin shoqëror, libri është një kujtesë dhe një akt social lidhur me raportin fëmijë prindër, por dhe peshën e madhe që atdheu mbart në jetën e njeriut kudo ai shkon dhe gjendet.
Tiranë-Vlorë, dhjetor 2023