Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar para Kuvendit, ku pati incidente mes protestuesve, deputetëve të Partisë Socialiste dhe forcave të policisë.
Sipas raportimeve, gjatë përplasjes protestuesit hodhën vezë në drejtim të deputetëve të PS-së, ndërsa ndaj efektivëve të policisë u përdorën edhe gurë.
Në reagimin e tij, Rama e cilësoi protestën si të transformuar nga një shprehje qytetarie në një skenë dhune dhe konfliktesh politike.
“Protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë, ia ka lënë vendin tanimë filmit të vjetër të konfliktit, sherrit, dhunës, ku thonjtë e politikës së dështimit dhe zemërimit po dalin në pah me pisllëkun e tyre karakteristik”, shkruan kryeministri.
