Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën në veri të Kosovës pas daljes nga Kuvendi të 11 deputetëve të Listës Serbe dhe dorëheqjeve masive të zyrtarëve serbë.
Në “Twitter”, kreu i qeverisë shkruan se autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe. Megjithatë, ai thekson se situata e krijuar mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut.
“Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë SHBA&BE. Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe DIALOG.
Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me “forcë”! Prandaj duhet kërkuar një DIALOG I PALODHUR me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët!”, shkruan Rama.